Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dje drekoi me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian. E pas drekës, Kurti e dha një lajm të rëndësishëm. I pari i ekzekutivit tregoi se Kosova e pranon planin franko-gjerman, që tash po quhet marrëveshja e Brukselit. “Bazë e mirë” e “platformë solide” – u quajt sërish nga kryeministri Kurti marrëveshja e propozuar nga BE-ja. Por përmbajtja e planit franko-gjerman ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse kanë kaluar muaj që kur ka filluar diskutimi mbi këtë marrëveshje.
Pranimi i planit franko-gjerman nga ana e Kosovës, u kuptua nëpërmjet një cicerime të kryeministrit Kurti, i cili e cilësoi drekimin me Lajçakun si “bashkëbisedim të mirë”.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje.” – shkroi dje, ndër tjerash, Kurti.
Çka ka në plan?
Në fakt, plani franko-gjerman ende nuk është bërë zyrtarisht publik, ndonëse ka muaj që po diskutohet. Pra megjithëse e pranoi Kosova, përmbajtja e tij zyrtare mbetet e panjohur për qytetarët e Kosovës. Madje, siç ka treguar vetë Kurti, së pari kjo marrëveshja u paraqit në muajin shtator të vitit të kaluar gjatë një takimi në Bruksel.
“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje.” – theksonte ditë më parë Kurti.
Por në publik janë raportuar disa përmbajtje të planit franko-gjerman. Ajo çfarë dihet është se ky plan i ka gjithsej 11 pika, ashtu është konfirmuar nga ana e Lajçakut. Megjithatë, problemi kryesor i këtij plani është se nuk flet për njohje reciproke. Sigurisht, kjo pyetje u shtrua edhe dje, kur Kurti e shpalosi se Kosova e njeh planin franko-gjerman.
“Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?” – pyeti kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Deri tani janë botuar dy përmbajtje të planit franko-gjerman, me përmbajtjen që pretendohet të jetë e afërt me propozimin final të shtruar nga BE-ja. Dy javë më parë, gazeta opozitare serbe “Danas” publikoi një pjesë të asaj që pretendoi seështë “propozimi franko-gjerman” i marrëveshjes bazë të Kosovës me Serbinë, shkruan Nacionale.
“Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare,” – thuhej në mënyrë eksplicite në këtë nen, që ndodhet mes nëntë nenesh tjera.
Në raportimin e saj, Danas shkruante se Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk përmendet me emër.
“Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk përmendet specifikisht në këtë dokument, që tashmë ka qarkulluar në rrjete sociale, por formimi i saj mund të konkludohet në mënyrë indirekte përmes të tjera pjesëve.” – shkruante Danas, transmeton Nacionale.
“Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.” – shkruhej në nenin 1 të përmbajtjes së publikuar nga Danas.
Në këtë marrëveshje përmendej edhe statusi i Kishës Ortodokse serbe, por mungonte njohja reciproke mes dy vendeve.
“Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë nivel të lartë të mbrojtjes për trashëgiminë kulturore e religjioze serbe, në pajtim me modelet ekzistuese evropiane.” – shkruante tutje Danas.
Edhe mediumi i specializuar në politikat e BE-së, Euroavtic më 10 nëntor, kishte botuar një përmbajtje të pretenduar të planit franko-gjerman me gjithsej 9 nene.
“Neni 6: Kosova dhe Serbia vazhdojnë në respektimin e ndërsjellë të juridiksionit të njëra-tjetrës.
Neni 8: Kosova dhe Serbia duhet të kenë misione të përhershme. Ato duhet të vendosen në selitë e qeverive përkatëse. Çështjet praktike sa i përket themelimit të misioneve duhet të trajtohen ndaras.” – thuhej në nenin 6 dhe 8 të përmbajtjes së publikuar nga ana e Euroactiv.