Live

Çka do të thotë letra me shumë gabime e FFK-së kundër gazetarëve?

20:30 / 16 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Një ditë pasi u raportua jozyrtarisht se Prokuroria ka nisur hetimet për kërcënimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, ndaj tre lojtarëve të përjashtuar, pasoi një letër e Federatës.

Letra e FFK-së u dërgua në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, Komisionin e Pavarur për Medie dhe Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Aty, FFK-ja drejton akuza të rënda. Nga fakti se të ftuarit kanë tendencë për kapjen e FFK-së, deri te fakti se kush duhet të ftohet nëpër këto emisione.

“Dhënia e hapsirës për individë që në asnjë formë nuk kanë asnjë lidhje me futbollin, promovimi i një fushate të tillë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, ofendimet dhe linçimet publike, shpërfaqin haptasi, unifikimin e disa mediumeve e emisioneve sportive, dhe të një grupi të vogël interesi, rreth qellimit të tyre të vetëm, që në mënyrë jo legjitime, por nga studiot televizive të marrin kontrollin mbi Federatën e Futbollit të Kosovës”, thuhet në këtë letër.

“Poashtu zgjedhja e organeve drejtuese të institucionit kryesor të futbollit bëhet në formë legjitime e në Kuvendin e Federatës nga protagonistët e fushës, përkatësisht delegatët e zgjedhur nga klubet dhe organet tjera të jetës futbollistike në Kosovë, e assesi nga studiot televizive e as nga individ pa kredibilitet në futboll por edhe në përgjithësi në jetën publike në Kosovë”, thuhet më tutje.

Çuditërisht, FFK-ja nuk e ka folur asnjë fjalë nga komunikata e famshme ku u përjashtuan tre lojtarë. Nuk ka dhënë asnjë sqarim as për dyshimet se Agim Ademi i ka kërcënuar lojtarët me fjalët “ua thej këmbët”.

E një ditë pasi u raportua se hetimet kanë nisur për këtë kërcënim, FFK-ja tenton të merret pak me gazetarë e media, të cilat një kohë nuk i kishte lejuar as brenda oborrit kur u zgjodh Agim Ademi kryetar.

Megjithatë, kjo tendencë, nuk kaloi në heshtje nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Këta të fundit, letrën e FFK-se e quajtën ndërhyrje direkte në punën e gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar një kërkesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës. Në letër, FFK-ja, akuzon, pa asnjë bazë, disa emisione sportive se po bëjnë “fushatë mediale kundër FFK-së”. AGK-ja, e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë. Liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Letra me shumë gabime

Federata e Futbollit e Kosovës u është drejtuar me një letër Komisionit të Pavarur të Mediave, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, duke i kritikuar gazetarët dhe mediat se gjoja po u japin hapësirë “individëve që në asnjë formë nuk kanë asnjë lidhje me futbollin”. Sidoqoftë, letra që është pak më e gjatë se një faqe ka 14 gabime të rënda drejtshkrimore, dukshëm më shumë se numri i paragrafëve. Gazeta “Nacionale” nuk i ka numëruar fare gabimet rreth shenjave të pikësimit.

Së pari, është shkruar gabimisht shumësi i mbiemrit “Sportivë” – “Sportiv”.

Pastaj, në letrën e FFK-së është shkruar “ka përcjellur”, në vend se të shkruhej “ka përcjellë”.

Së treti, është shkruar gabimisht ndajfolja “ligjërisht” – “ligjërishtë”.

Së katërti, është shkruar gabimisht emri “hapësirës” – “hapsirës”.

Së pesti, është shkruar gabimisht ndajfolja “haptas” – “haptasi”.

Së gjashti, është shkruar gabimisht emri “qëllimit” – “qellimit”.

Së shtati, është shkruar gabimisht folja “nuk do të bjerë” – “nuk do të bije”.

Së teti, është shkruar gabimisht shumësi i emrit “zyrat” – “zyret”.

Së nënti, është shkruar gabimisht si një fjalë e vetme lokucioni ndajfoljor “po ashtu” – “poashtu”.

Së dhjeti, është shkruar gabimisht shumësi i emrit “individë” – “individ”.

Së njëmbëdhjeti, është shkruar gabimisht folja “lejohet” – “lëjohët”.

Së dymbëdhjeti, është shkruar gabimisht emri “kërcënimet” – “kërcnimet”.

Së trembëdhjeti, është shkruar gabimisht folja “respektohen” – “respektohën”.

Së katërmbëdhjeti, është shkruar gabimisht folja në vetën e tretë të numrit njëjës, në kohën e ardhme, “(FFK-ja) do të veprojë” – “(FFK-ja) do të veproj”.

Shpërndaje në

U Kopjua