Në botën e televizionit është hiti i momentit. ”Dahmer”, seriali i platformës Netflix i frymëzuar nga historia e vërtetë e Xhefri Dahmerit, vrasësit serial nga Uiskonsin, SHBA, që në vitet 1980 vrau 17 djem të rinj në mënyra makabre, pëlqehet shumë nga audienca në mbarë botën.
Por nga ana tjetër ai ka shkaktuar edhe shumë debate:nga të qenit racist dhe homofobik, tek dëshira për të instrumentalizuar dhimbjen. Tashmë edhe syzet e vrasësit serial janë nxjerrë në ankand për shumën e 150 mijë dollarëve, si të ishin objekt kulti.
Me skenarin e Rajan Mërfi (që në vitin 2011 shkroi librin “Historia e tmerreve në SHBA”) dhe Jan Brenan seriali “Dahmer:Historia e një përbindëshi” është një sukses mbarëbotëror.
I disponueshëm në Netflix që nga 21 shtatori, ai arriti shifrën rekord të mbi 196 milionë shikimeve vetëm në javën e parë, duke e çuar atë në krye të listës së serialeve më të shikuara në gjuhën angleze. Ai klasifikohet në 10-n e serialeve më të mirë të Netflix në 92 vende të botës. Dhe prej disa ditësh është seriali më i ndjekur në Itali.
Pra një triumf, që në fillim nuk mund të cilësohej si i garantuar, pasi ngjarjet e rrëfyera janë ndër më të tmerrshmet që kanë ndodhur ndonjëherë në historinë e dekadave të fundit. Në të rrëfehet historia e Xhefri Dahmer, një vrasës serial, që përveç ekzekutimit të 17 djemve, kreu akte të dhunës seksuale, nekrofilisë, kanibalizmit dhe copëtimit të viktimave.
Në fakt seriali është klasifikuar si “horror”. Për shembull në serialin me 10 episode tregohet shtëpia e tij, si “muzeu i tmerreve”:me një kokë të prerë të ruajtur në frigorifer, po ashtu disa organe gjenitale, 5 kafka të shpërndara nëpër shtëpi, dhe një skelet mbi komodinë.
Skena të tmerrshme edhe për adhuruesit e këtij zhanri. Se përse po pëlqehet kaq shumë ky serial, ky është objekt i një debat të madh. Seriali është realizuar mirë në aspektin artistik, ai e përcjell sharmin e së keqes. Aktori kryesor është rrëqethës në interpretimin e tij, por detajet që tregohen janë të tmerrshme.
Pastaj janë kritikat e forta. Akuza e parë është ajo e racizmit. Vrasësi serial veproi i pashqetësuar për 13 vite (vrau gjatë viteve 1978-1991, në vitin 1992 u dënua me burgim të përjetshëm, dhe 2 vite më vonë u vra nga një i burgosur skizofren) sepse policia i injoroi në vazhdimësi ankesat dhe alarmet e dhëna nga fqinjët.
Dhe kjo fshehu arrogancën dhe ndjenjën e epërsisë të policisë “së bardhë” ndaj “zezakëve”.Ky është një nga elementët që e tërheq më shumë publikun, të paktën gjykuar nga komentet në rrjetet sociale. Prokurori i atëhershëm i Milluokit (ku ndodhi shumica e vrasjeve), MajkëllMekan u ndje i detyruar të deklaronte në një intervistë për TMZ, se oficerët e policisë nuk do të mbyllnin kurrë sytë ndaj viktimave të Dahmer, vetëm për shkak të racës së tyre apo orientimittë tyre seksual.
“Kjo është një ide qesharake”- u shpreh ai. Por qasjet raciste denoncohen edhe në prapaskenat e serialit. Koordinatorja e produksionit Kim Alsup, tha në një intervistë për gazetën Los Angeles Times tha se ishte “trajtuar shumë keq gjatë xhirimeve”. Ajo saktësoi se ishte një nga vetëm 2 zezake që punuan për këtë serial, dhe shpeshherë kolegët ua ngatërronin emrat.
Akuza tjetër e fortë është ajo e homofobisë. Në fakt vrasësi serial ishte homoseksual (viktimat e tij ishin djem të rinj) dhe Netflix ka përdorur si tag termin LGBTQ+, për të theksuar homoseksualitetin e Dahmer. Komuniteti LGBTQ reagoi menjëherë duke i kërkuar kompanisë ta fshinte atë, gjë që Netflix e bëri.
Ndërkohë familjarët e viktimave akuzojnë shfrytëzimin e tepruar të dhimbjes së tyre. Gjatë gjyqit ndaj vrasësit serial, në proces u thirr për të dëshmuar Rita Isabel, motra e njërës prej viktimave, Errol Lindsej, që u vra kur ishte vetëm 19 vjeç.
Erik Perri, kushëriri i Errol, postoi në Tëiiter dëshminë e vërtetë të Isabel, duke e krahasuar atë me atë të rikrijuar nga Netflix, duke shkruar:“A na duhen ende këta filma? Nuk më takon mua t’ju them se çfarë të shihni në ekran. Krimi tërheq gjithmonë audiencën. Por nëse jeni vërtet kureshtarë të mësoni këndvështrimin e viktimës, familja ime është shumë e zemëruar me këtë serial. Nuk kishte nevojë të traumatizohej përsëri, dhe për çfarë?”.
Problemi është se familjarët e viktimave nuk janë kontaktuar nga Netflix, ndaj mungon versioni i tyre. Rita Isabel e bëri të qartë këtë:“Kur pashë një pjesë të serialit, u mërzita shumë, pasi më ktheu të gjitha emocionet që ndjeva në atë kohë.
Netflix duhet të kishte kërkuar mendimin tonë apo të na pyeste mbi atë që ndjejmë. Do të ishte mirë që një pjesë e të ardhurave t’u jepeshin të afërmve të viktimave. Por kjo gjë nuk po ndodh. Është e trishtueshme që ata po fitojnë para nga kjo tragjedi. Është një lakmi e pastër”.
Edhe kritika profesioniste e këtij zhanri e ka ngritur zërin mbi disa aspekte të serialit. Për shembull revista “Variety” e kritikon atë për “humanizimin” e tepruar të Xhefri Dahmer. Edhe më të ashpra ishin kritikat e “Vanity Fair America” që argumenton se historia që meritonte të nënvizohej, ishte ajo e një komunitetit të margjinalizuar me ngjyrë, që dha alarme të cilat ranë në vesh të shurdhër. Ndërkohë, seriali u fokusua tek tmerri i krimeve.