Live

“Defender 25” nis më 25 maj në Shqipëri (VIDEO)

15:52 / 20 Maj 2025

Nga Kosova Live

Më 25 maj edhe zyrtarisht do të nis stërvitja shumëkombëshe e njohur si “Defender Europe 25”, e drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).

Kjo është një nga stërvitjet ushtarake më të mëdha dhe më komplekse në dekadat e fundit në Evropë dhe Afrikë.

“Defender Europe 25”, do të nisë nga Shqipëria do të zgjasë deri më 9 qershor.

Ajo synon të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të koordinuar ndërmjet forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere, transmeton Klankosova.tv.

Ushtrimet ushtarake në fjalë përfshijnë një sërë aktivitetesh luftarake të shkallës së gjerë, që shtrihen në disa vende të Evropës dhe është ndërtuar sipas skenarit të Nenit 5 të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve.

Skenari stërvitor do të përfshijë trajnimet për mbrojtjen e objekteve të rëndësishme, sigurimin e pikave të imbarkimit, si dhe operacione mësymëse dhe mbrojtëse në rajone strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një nga objektivat kryesore të stërvitjes është demonstrimi i aftësisë për të dislokuar me shpejtësi trupa dhe pajisje nga Amerika e Veriut drejt Evropës, në një mjedis të ndërlikuar operativ.

“Defender Evropë 25” do të demonstrojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në NATO-s, si dhe një mundësi për të treguar gatishmërinë e Forcave tona të Armatosura për të shërbyer në krah të partnerëve tanë strategjikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë.

Kjo stërvitje përfaqëson një mesazh të qartë ndaj çdo kundërshtari të mundshëm: NATO-ja është e bashkuar, e përgatitur dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Në të njëjtën kohë, ajo synon të sigurojë opinionin publik në vendet aleate se përkushtimi i SHBA-së dhe NATO-s për sigurinë euroatlantike mbetet i palëkundur.

Shpërndaje në

U Kopjua