Live

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për grabitjen e afër 1 milion eurove dhe mbi 46 mijë dollarë

13:11 / 13 Janar 2025

Nga Kosova Live

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të hënë të akuzuarit Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha dhe Viktor Sogojeva janë deklaruar të pafajshëm për veprat pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe grabitje.

I akuzuari Berisha i cili ngarkohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë. Ndërsa, i akuzuari Sogojeva është deklaruar i pafajshëm edhe për veprën penale import, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shtija e armëve apo materieve plasëse.

Më pas, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli tha se të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu në këtë seancë është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin Nexhat Muqolli i cili po ngarkohet për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe grabitje dhe për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Veçimi i procedurës ndaj Muqollit u bë me propozim të mbrojtësit të tij, avokati Musa Kongjeli, i cili tha se i njëjti është në trajtim shëndetësor jashtë vendit.

Ndryshe, seanca e kaluar për këtë rast kishte dështuar të mbahej në mungesë të të dy të akuzuarve.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 13 mars 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha,Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli.

Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se më 18 nëntor 2021 në fshatin Parallovë të Komunës së Novobërdës, të pandehurit si grup kriminal kishin grabitur shumën e parave prej 996 mijë e 271 euro e 24 centë dhe 46 mijë e 780 dollarë amerikanë në dëm të të dëmtuarve: Bankës Pro Credit dhe kompanisë “Besa Security”, të dyja me seli në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi kishte siguruar veturën “Vovlo” dhe e kishte vënë në shërbim, kurse i akuzuari Milam Lipovica si menaxher i kompanisë “Besa Security” kishte përgatitur automjetin special për transportim e parave të gatshme dhe se pa dijeni të pronarit të kompanisë, automjetin e dërgon te autoservisi me pronar të akuzuarin Kushtrim Xhaka.

Aktakuza thotë se automjetit ia vendosin pajisjen elektronike për çaktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit, pas kësaj e testojnë brenda lokalit si dhe në rrugët e Prishtinës. Aty thuhet se më 18 nëntor 2021, të akuzuarit me automjetin “Volvo” dhe “Zafira” që ishin të parkuar në garazhin e të akuzuarit Xhaka, me dy automjete të akuzuarit Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli edhe me një nga të pandehurit tjerë, përmes rrugës dytësore nga Prishtina shkojnë në fshatin Parallovë dhe në largësi prej 200 metrash nga rruga Prishtinë-Gjilan e lënë të fshehur veturën “Volvo”, kurse me veturën “Zafria” shkojnë në Gjilan.

Në aktakuzë thuhet se pasi takojnë automjetin “Fiat”, i cili kishte grumbulluar paratë nga bankomatet në Ferizaj, Viti dhe Gjilan për t’i dërguar në Bankë Qendrore të Pro Credit në Prishtinë, me veturën “Zafira” i vihen nga prapa nën përcjellje. Pasi arrijnë në Parallovë, “Fiatin” e ndalojnë me teledirigjim, ku motori i automjetit fiket, me këtë rast me veturën “Zafria” i dalin përpara veturës “Fiat”, dhe dalin fillimisht të akuzuarit Viktor, Agron dhe Nexhat, të maskuar e të armatosur me armë të gjata- kallashnikov.

Gjithnjë sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Viktor e pastaj edhe të akuzuarit Agron dhe Nexhat fillojnë të shtien në parafango dhe pastaj në xham të shoferit të veturës “Fiat” dhe arrijnë që shoferin dhe tre punëtorët t’i nxjerrin nga vetura dhe t’i çarmatosin e t’i shtrijnë përtokë.

Tutje, sipas aktakuzës, nga vetura “Zafira” del personi i katërt, duke iu bashkuar tre të akuzuarve, dhe i akuzuari Nexhat hyn në automjetin “Fiat” dhe duke shfrytëzuar njohuritë e marra nga i akuzuari Milaim, përmes pultit të vendosur në “Fiat”, hap kargon e automjetit ku ishin të vendosura paratë, nga aty nxjerr 10 çanta të mbushura me para, i vendosin në automjetin “Zafira” dhe ikin nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, të njëjtit shkojnë te vetura “Volvo”, i fusin çantat me para dhe pastaj djegin veturën “Zafira” dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të Prishtinës, ashtu që në fshatin Sllovi paratë i nxjerrin nga çanta, ndërsa çantat i hedhin në skaj të rrugës dhe vijojnë rrugën për Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se veturën “Volvo”e dërgojnë dhe e lënë të braktisur në fshatin Harilaq, ku pas 3-4 ditëve ishte identifikuar dhe sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës. Me këto veprime, të akuzuarit si grup kriminal i kanë shkaktuar dëm Bankës Pro Credit dhe pronarit të kompanisë “Besa Security”-Abedin Hasanit në shumën prej 996 mijë e 271 euro e 24 centë dhe 46 mijë e 780 dollarë amerikanë.

Prandaj për këto veprime, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 277, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 3 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas pikës të dy të aktakuzës, të pandehurit Viktor Sogojeva, Agron Berisha dhe Nexhat Muqolli me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, me rastin e grabitjes së parave si grup kriminal, pa leje kishin mbajtur dhe përdorur armën e tipit Kallashnikov AK 47.

Për këtë, Sogojeva, Berisha dhe Muqolli po ngarkohen edhe për verpën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, sipas pikës tre të aktakuzës, sërish i akuzuari Berisha ngarkohet se më 17 janar 2023 pas bastisjes së realizur me vendim të gjykatës, në shtëpinë e tij i ishte gjetur arma e tipit “TT-M-57” dhe 13 fishekë.

Për çka, po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga nenin 366, paragrafi 1 KPRK-së.

Dhe krejt në fund, sipas pikës katër të aktakuzës, i akuzuari Viktor Sogojeva gjatë vitit 2022 në kohë të pacaktuar e deri më 17 janar 2023, kishte shkuar në Beograd, Nish, Vrajnë dhe Preshevë, ku në vazhdimësi ishte furnizuar duke blerë armë disa pushkë automatike AK-47, pushkë gjysmë-automatike me snajper, armë shkorpion, disa lloje të pistoletave dhe 4 mijë fishekë, meqë rast i kishte shitur në Kosovë me çmime nga 600 euro e deri 900 euro, varësisht nga tipi dhe municionin prej 0.50 centë për copë.

Aktakuza thotë se me rastin e bastisjes sipas vendimit të gjykatës, të njëjtit i ishin gjetur 2 karikatorë, 13 fishekë, 6 gëzhoja dhe një kondak i pushkës.

Prandaj për këto veprime, Sogojeva po ngarkohet edhe për veprën penale “Importi eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shtija e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 me nenin 77 të KPRK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...