Live

Departamenti amerikan i Shtetit pret nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të përgjigjen pa vonesë

19:37 / 24 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Departamenti amerikan i Shtetit tha të martën se të gjithë personat e përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, duhet të vihen para drejtësisë.

“Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që Serbia të luajë rolin e saj për të siguruar përgjegjësi të plotë për autorët e sulmit pa vonesa të mëtejshme”, tha në një përgjigje për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i DASH-it.

Kosova shënoi të martën njëvjetorin e sulmit, kur një grup serbësh të armatosur vranë një oficer policie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj Beogradit që të dorëzojë personat e armatosur, që u tërhoqën në Serbi pas një përleshjeje 12 orëshe me policinë një vit më parë.

Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e grupit e mori përsipër Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me lidhje të fuqishme me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në dhjetor të vitit 2023 emri i tij është vënë në një urdhër arresti të Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL.

Shpërndaje në

U Kopjua