Analisti i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Bleron Baraliu është deklaruar pas zhvillimeve të djeshme politike në Bruksel duke thënë se Albin Kurti me dakordimin e djeshëm për planin evropian i ka thyer parimet e veta, madje ai thotë se Adem Demaçi nuk do ta kishte pranuar një marrëveshje të tillë, për të cilën thotë se: “e favorizon Serbinë dhe regjimin e saj fashisht.”
Më tutje, ai thotë se marrëveshja është “as mish, as peshk”, duke vazhduar të argumentojë se në mënyrë implicite marrëveshja e barazon Kosovën me Serbinë.
Sipas Baraliut, artikulli i gjashtë i planit tregon se marrëveshja në rrafshin juridik është një farsë dhe madje i ka quajtur politikanë të paaftë Miroslav Lajçakun, Gabriel Escobar, Olaf Scholz e Emanuel Macron për të cilët ka thënë gjithashtu se janë edhe “impotentë” si politikanë.
Baraliu thotë se artikulli i 10 e vazhdon farsën pasi i ngre në nivel të obligueshmërisë zbatimin e marrëveshjeve paraprake që sipas tij janë absurde dhe jo-legjitime. Për më tutje, ai thotë se ky artikull, dëshmon thyerjen e Albin Kurtit.
Lidhur me këtë, ai thotë se si përfundim, nga kjo marrëveshje rrjedh mosnjohja nga Serbia, mungesa e reciprocitetit, hapësira për autonomi, hapësira për eksterritorialitet të Kishës Ortodokse Serbe, mungesa e njohjes nga pesëshja e BE-së, ngritja e konfliktit, mosheqja e 2/3 nga Kushtetuta e Kosovës, mos përcaktimi i pakos ekonomike për Kosovën, mungesa e seriozitetit legal.
Sipas tij, të gjitha këto duhet të kundërshtohen përmes një aktivizmi të ri shqiptar.
Ky është postimi i tij i plotë:
Prespektiva ime e parë dhe e ftohtë (mbi marrëveshjen)
- Marrëveshje nuk ka por veç ‘dakordim’. Pra në rrafsh teknik, nuk është arrit asgjë më shumë se një pajtim për t’u pajtuar që të pajtohen për çfarë ‘jemi pajtuar’ tash e 10 vjet. As mish as peshk. Çfarë farse!
- Përtej lojës së mundshme me patate të nxehta, Albini, duke deklaruar se e pranon marrëveshjen pa ndryshime, pa asnjë dyshim i ka thyer parimet dhe premtimet e veta. Adem Demaçi, psh., kurrë nuk do ta kishte pranu një marrëveshje të tillë që në thelb e favorizon sërbinë dhe regjimin e saj fashist që të avancojë progresin e saj përderisa vazhdon sabotimin e Kosovës në çdo dimension.
- Marrëveshja në frymën e saj në mënyrë tacite/implicite paralelizon Kosovën me sërbinë, pra a krijon së paku një perceptim apo konotacion të Kosovës si shtet sovran (Article 2), por për fat të keq ky argument nuk e tejkalon ambiguitetin e cilësisë së ‘sygjerimit’ në vend të ‘obligimit juridik’ (“parties shall be guided by … UN Charter” në vend të “parties shall be legally bound to adhere to… UN Charter”). Megjithatë, bashkë me kontekstin e palëve si entitete të veçanta në Art. 4, 7 dhe deri diku 5 e krijon frymën e dokumentit si marrëveshje mes dy shteteve jo thjeshtë dy palëve.
Një problem shtesë në nivel teknik, ani pse paksa cinik, është se vetëm sërbia njihet nga OKB, dhe ajo mund të thirret në ‘mbrojtjen e territorit dhe integritetit që ia garanton karta OKBsë dhe zotimin e Kosovës t’a respektoj këtë të drejtë’ përmes kësaj marrëveshje! - Artikulli 6 tregon se krejt kjo marrveshje, së paku në rrafsh juridik, është një farsë e vërtetë e politikanëve të pa aftë dhe vetshërbyes, siç janë Lajçak në këtë drejtim, por dukshëm edhe Escobar, Scholz, e Macron pa dyshim, pra politikanë impotent që vetëm nxjerrin gjysëm traktate e ngrirje konfliktesh pa qartësuar apo zgjedhur as edhe një pjesë të konfliktit apo mospajtimeve. Zatën kështu kemi Bosnën, Palestinën, Qipron, Kosovën, Ukrainën, etj. etj. Imagjinoni, e tërë kjo marrëveshje shëndërrohet në një ‘dakordim’ qesharak sapo kuptojmë në Artikullin 6 se kjo ‘marrëveshje’ është vetëm një hap në drejtim të normalizimit që duhet të dërgojë në një marrëveshje tjetër ligjërisht të obligueshme! Ndoshta kjo do të ndryshojë me 18Mars apo më vonë, por deri atëherë kemi një dokument hajgaresh të zbehta e cinike sa për të shënuar një ‘arritje’ për politikanët mezoseriozë.
- Artikulli 7, nëse supozojmë se kjo marrëveshje më vonë ngrihet në nivel të obligueshmërisë ligjore, në vetvete është thikë me dy teha për sërbinë, sepse lehtë mund të aludojmë apo argumentojmë se po flasim për një kishë (sërbe) të Kosovës dhe jo kishë të sërbisë në Kosovë. Këtu dy tehat bëhen edhe më ekuivokë mbi faktin se në anglisht ‘Serbian’ mund të nënkuptojë ‘sërbinë’ si shtet apo ‘serbët’ si komb. Megjithatë niveli i cinizmit tim është paksa i ngjajshëm në zbehje me atë të Artikullit 2 që mund të ngre sërbia… Sidoqoftë, këtu nuk ka asgjë të përcaktuar mbi ‘ekstraterritorialitet’, pranimi i së cilit do të përbënte në vetvete akt tradhëtie nga kushdo që do ta pranonte – të shohim si do jenë detajet pasuese.
- Artikulli 10 vazhdon farsën e kësaj ‘marrëveshje’ sepse i ngre në nivel të obligueshmërisë ‘marrëveshjet paraprake’ që në fakt janë totalisht absurde dhe jo legjitime (pikësëpari sepse nuk janë ratifikuar nga sërbia në parlament të saj, nuk janë zbatuar etj). Pastaj, juristët mund të na ndihmojnë, por me sa di një rregull implicit i zakonshëm është që çdo marrëveshje që dështon të ketë ‘aktivitet të ri’ apo implementim brenda 36 muajsh llogaritet e shuar (psh kërkesa e borgjit nga kreditorët në SHBA nga IRS trajtohet kështu…). Artikulli 10 dëshmon thyerjen e panevojshme, në parim, të Albinit, por është herët të konstatojmë këtë thyerje sepse nuk kemi parë detajet mbi Artikullin 7, apo Aneksin i cili është i vetmi që ka gjasa deri diku të sqarojë këtë marrëveshje apriori qesharake në formë dhe qasje.
- Artikulli 11 tregon se shpallja e marrëveshjes si e këtillë dhe e dakorduar duke referuar një Aneks të papublikuar është një tallje me publikun dhe menaxhim i qëllimshëm i servimit ndaj qytetarëve të një kornizë politike që synon të përkëdhelë sërbinë edhe më tej përderisa degradon Kosovën në një ‘shtet peng’ nën mëshirën e politikanëve të njëanshëm, tradicionalisht dhe praktikisht pro-sërb.
Sa për përfundim, kjo analizë e imja është vetëm në shikim të parë dhe si e tillë tejet sipërfaqësore, normalisht secila fjalë e fjali kërkon paragrafe të tëra interpretimesh dhe analiza implikimesh të mundshme. Analiza mund të plotësohet vetëm pasi të shohim detajet shtesë, hapat e rradhës dhe aneksin e proklamuar.
Për përmbledhje, problemet serioze që shoh mbi të cilat Albini dhe Kosova duhet të kundërshtojnë me ngulm gjithçka në verzionin final apo detajet që mund të gjinden në aneks janë:
A. Mosnjohja e Kosovës nga sërbia
B. Mungesa e reciprocitetit me Luginën
C. Hapësira për autonomi përmes Zajednicës (që varet nga detajet)
D. Hapësira për ekstraterritorialitet për kishat ortodokse të Kosovës si kisha të sërbisë (varet nga detajet shtesë)
E. Mungesa e njohjes nga 5 shtetet e EUsë
F. Ngrirja e mëtejme e konfliktit sa i përket Kosovës, vendnumërim përderisa sërbisë i hapet rruga e përparimit ekonomik e politik
G. Mos-heqja ekuivalente/paralele e votës 2/3 nga kushtetuta e Kosovës që do të pamundësonte bojkotimin nga sërbët në shumë çështje të përparimit ekonomik e politik, përfshirë bashkimin me shtete tjera
H. Mos përcaktimi i pakos ekonomike për Kosovën (së paku 5-15 Miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme) por përkushtimi vetëm për subvencione në projekte të përbashkëta me sërbinë
I. Mungesa e seriozitetit legal të marrëveshjes, që lejon hapësirë për presione e kompromise të reja dhe gangrenizim të mëtutjemë të shtetësisë së Kosovës përmes sabotazhit nga sërbia dhe përkëdheljes ndaj saj nga perëndimi
Sa për post script do të shtoja se Albini këtu më ngjan që i ka të zbehta aftësitë për të negociuar me ujqit politikë evropianë që janë në thelb burokratë konvencionalë të njëanshëm dhe nuk mërziten fare as për parime të drejtësisë e as të prosperitetit të sinqertë të rajonit. Kopshti i gjelbërt modern racist i Evropës Kosovën e sheh si halë në sy dhe mundohet ta rehatojë sa për ta hequr qafe. Për fat të keq, kësaj rradhe kanë gjetur edhe ca politikanë sivëllezër amerikanë që kanë shfrytëzuar situatën e brishtë për të dëmtuar Kosovën në favor të përkëdheljes sërbe.
Të gjithë këto dhe këta duhet të kundërshtohen përmes një aktivizimi të ri shqiptar! Nuk ka rrugë tjetër.