Live

Dështimi i madh: Ku janë 160 çerdhet e Qeverisë Kurti?

21:47 / 24 Shtator 2024

Nga Kosova Live

“Nuk do të dalin 160”, kështu u përgjigj ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fillim të këtij muaji në një intervistë në Klan Kosova, kur u pyet për numrin e çerdheve të ndërtuara gjatë Qeverisë Kurti II.

Dështimin e ka pranuar edhe vetë ministrja Nagavci, partia e së cilës kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve brenda një mandati.

“Nëse e krahasojmë me premtimin tonë qe e kemi pasur, si zotim për ndërtimin e çerdheve dhe infrastrukturës së nevojshme, nuk kemi arritur të përmbushim të tërin, për shkak se nuk ka pasur hapësirë dhe bashkëpunim prej komunave”, u shpreh Nagavci në intervistën dhënë gazetarit, Fidan Jupolli.

Në një konferencë për media më 17 maj të këtij viti, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati deklaruar se deri në atë periudhë ishin 9 çerdhe të përfunduara.

Ministrja Arbërie Nagavci kishte thënë po ashtu se nuk kanë asnjë kërkesë për ndërtimin e çerdheve të reja nga asnjëra komunë.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, qasja e MASHTI-t ndaj Komunave në kërkesat e tyre nuk është korrekte dhe është tepër demotivuese dhe dekurajuese sepse kërkesat e komunave nuk po përkrahen.

Ky asociacion ka bërë të ditur se ka komuna që i kanë ndërtuar çerdhet me mjete vetanake, mirëpo ka disa vite që këto çerdhe s’kanë mundur të funksionalizohen për shkak se Qeveria Kurti nuk u ka dhënë buxhet komunave për të hapur vende të reja të punës.

Kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, duket se mbi 120 çerdhet tjera do të jenë sërish premtim në fushatën zgjedhore.

“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, theksonte Kurti në Kuvend, gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025.

Por dështimi i ndërtimit të çerdheve është vetëm njëri nga dështimet e kësaj qeverie sipas deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti për premtimin e çerdheve ka pyetur se “Çka me KREJT DHE DREJT?”

“160 çerdhe? 4 mijë banesa për qiftet e reja? 5 shtëpi për të moshuarit? Shportë më të lirë të konsumimit? Energji më të lirë? Çka me i bë deficitit tregtar? Ku janë projektet kapitale?”, ka shkruar deputetja Bajrami më 10 shtator të këtij viti.

Shpërndaje në

U Kopjua