Live

Dikur e quante të “turpshëm”, sot Dimal Basha kërkonte zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses

20:03 / 26 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Kuvendi i Kosovës u bë sot me kryetar të ri, por nuk u konstituua. Ky proces ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe. Pasi tri herë u propozua emri i njëjtë nga Lista Serbe, Dimal Basha vendosi që zgjedhja e nënkryetarit serb të kalojë në formatin me short.

Ai u arsyetua duke e përmendur disa herë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi se një kandidat mund të propozohet deri në tri herë.

Por, pikërisht gjykata që e nxori këtë vendim, të cilit Vetëvendosje iu ‘dorëzua’, Basha tha më 8 gusht se nuk i shërben drejtësisë, “por grupeve të interesit”.

‘Vendimin e turpshëm’ siç e quajti Basha atë ditë, sot e interpretoi dhe e zbatoi, duke thënë se vetëm tri herë Simiq duhet të votohet, sepse ashtu ka vendosur Kushtetuesja.

“I nderuar përfaqësues nga komuniteti serb, në frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykata na ka thënë të qartë që lejohet vetëm tri herë që të propozohet një kandidat. Prandaj, në të njëjtën frymë, ju ftoj të propozoni një kandidat tjetër. “

“Siç e dini, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për me dalë nga ngërçi, një prej arsyeve ka qenë propozimi i të njëjtit kandidat radhazi. Gjykata ën frymën e daljes nga ngërçi, bllokimi, i Kuvendit, ka propozu që emërimet të propozohen vetëm tri herë. Kjo vlenë për kryetarin dhe nënkryetarët.” – tha Basha, teksa Lista Serbe vazhdonte me propozimin e njëjtë.

Urdhrin e lëshuar nga gjykata tentoi ta zbatojë, por po konsiderohet se e shkeli Kushtetutën dikah tjetër.

Pas moszgjedhjes së kandidatit të Listës Serbe, Basha vendosi të vazhdojë me formatin e shortit, raporton Klankosova.tv

Njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë deklaruar se votimi i dy nënkryetarëve nga pakicat duhet të bëhet në pako dhe të mos ndahet sikurse sot.

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus në Prishtinë ka thënë se procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet joshumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Sipas Krasniqit, aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës.

Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet.

Ai po ashtu tha se skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti.

Pritet të shihet se si do të vazhdojë procesi i konstituimit dhe nëse do të ketë lëndë të re në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve nga pakicat.

Seanca e radhës u caktua për të enjten, me fillim nga ora 11:00.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje jo rrallëherë ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe ka lëshuar akuza për bashkëpunim me parti të caktuara të opozitës në legjislaturën e kaluar.

Shpërndaje në

U Kopjua