Live

Dimal Basha më 2012, pretendonte se UÇK u financua nga trafikantë të drogës dhe mafia shqiptare

18:06 / 27 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Në një shkrim nga viti 2012, i publikuar mbi temën “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transkombëtar, islami fundamental dhe aleancat e padrejta” në “OpenEdition Journals”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës portretizohej si organizatë e lidhur me botën e krimit.

E bashkë-autor i këtij shkrimi është hiç më pak se tash kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shkrimi ka për bashkëautore Jana Arsovskan, e cila ë del të jetë ligjëruese e Sociologjisë në “John Jay College of Criminal Justice”, në New York, aty ku e ka përfunduar edhe Basha universitetin.

Sipas artikullit të Bashës dhe Arsovskës, UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet dhe duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi.

“Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe ShBA. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

“Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhet ndër të tjera në artikullin që për bashkë-autor ka Bashën, transmeton Klankosova.tv.

Tutje ky artikull, luftën në Kosovë e cilëson si “konflikt etnik”, i cili sipas tyre, legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të kombit.

“Konflikti u dha kriminelëve një mundësi për çlirim episodal nga kufizimet morale. Për më tepër, agjencitë perëndimore të inteligjencës gjithashtu mbyllën sytë ndaj lidhjes kriminale-politike që po shfaqej në Kosovë. Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas përfundimit të luftës së Kosovës, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan”.

“Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi. Ish-komandantët e UÇK-së shpesh pretendojnë se të gjitha akuzat kundër tyre janë vepër e komploteve të huaja”, u tha mes tjerash në artikull.

Për ta lexuar të plotë artikullin e shkruar nga tash kryetari i kuvendit, Dimal Basha dhe Jana Arsovska, klikoni KËTU.

Shpërndaje në

U Kopjua