Dogana e Kosovës, të premten rreth orës 22:00, në pikën kufitare të Hanit të Elezit, gjatë një kontrolli rutinor kanë ndalur një automjet që vinte nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë deklarimit, sipas njoftimit të doganës, drejtuesi i automjetit ka pohuar se nuk kishte mall për të deklaruar.
Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara të llojeve të ndryshme, kryesisht mbushës të telefonave me origjinë nga Kina.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht pasi nuk ishin deklaruar në doganë, transmeton Klankosova.tv.
Bazuar në njoftim, në total dogana ka sekuestruar 431 copë adapterë të llojeve të ndryshme me marka të mbrojtura si Samsung dhe Apple të cilat janë dërguar për verifikim pranë Sektorit për Pronësi Industriale (DPI).