Live

Dy adoleshentë holandezë u gjenden të vdekur në dhomën e një hoteli në Stamboll

08:13 / 24 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Dy adoleshentë holandezë janë gjetur pa shenja jete në dhomën e hotelit ku po qëndronin në lagjen Fatih të Stambollit, afër Xhamisë Blu dhe Pazarit të Madh. Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën, ndërsa babai i tyre është dërguar në spital në gjendje shoku, raportojnë mediat turke.

Sipas kanalit televiziv NTV, djemtë ishin të moshës 15 dhe 17 vjeç. Ata po qëndronin në Turqi për pushime bashkë me babanë e tyre 57-vjeçar.

“Kur mbërritën, ndihmësit mjekësorë të ambulancës vunë re se dy fëmijët kishin vdekur. Babai u dërgua në spital me ambulancë” në gjendje shoku, raportoi NTV.

Dyshohet se ngjarja mund të jetë e lidhur me një vakt që e kishin konsumuar më herët në zonën turistike Taksim, ku të tre kishin shkuar për darkë.

Por sipas agjencisë së lajmeve Haber Turk, babai ka deklaruar se nuk ka ngrënë bashkë me fëmijët.

“Kam shkuar me djemtë e mi në Taksim, por nuk kam ngrënë”, është shprehur ai para autoriteteve.

Pas kthimit në hotel, babai ka tentuar t’i kontaktojë djemtë e tij, por ata nuk janë përgjigjur. Në atë moment ai ka kërkuar ndihmë. Një punonjës i hotelit, Mehmet Kirdag, ka dhënë detaje për momentet e para kur u zbulua tragjedia.

“Kur trokita në derë dhe hyra, dy djemtë ishin të vdekur, njëri prej tyre në shtrat, tjetri në dysheme… Kur mbërritën ndihmësit mjekësorë, dy të rinjtë ishin të vdekur. Babai ishte në gjendje shoku”, ka thënë ai për NTV.

Shpërndaje në

U Kopjua