Live

Dy ditë pasi kërkoi falje për fyerjet ndaj UÇK’së, Basha përkulet në Prekaz

14:07 / 03 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha bëri sot homazhe në Prekaz te kompleksi memorial, te varri i presidentit të parë, Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi e te memoriali “Heroinat” në Prishtinë. Me të ishte edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari”, shkroi Basha në një postim në Facebook.

“Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, tha ai.

Basha tregoi se pas Prekazit, shkuan te varri i Ibrahim Rugovës, i cili “shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak”, siç shkroi ai.

“Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”.

“Homazhet i përfunduam te Memoriali “Heroinat”, ku përkujtojmë mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi fashist i Millosheviqit. Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”, shkroi Basha.

“Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuesit e lirisë sonë. Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre”, shtoi ai.

Basha të hënën u tërhoq pak nga arsyetimi duke kërkuar falje sot për një tekst bashkautorial të vitit 2012 kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një konferencë për media, ai paralajmëroi se do të zhvillonte vizita në Prekaz e te familja e presidentit Ibrahim Rugova.

Shpërndaje në

U Kopjua