Live

Dyshohen për laborator droge në Prishtinë, Gjykata merr vendim për dy të arrestuarit

17:08 / 23 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Policia e Kosovës ka njoftuar për shkatërrimin e një laboratori droge, që prodhonte substanca narkotike të llojit kokainë dhe heroinë. Laboratori i drogës është gjetur në bodrumin e një banese në lagjen “Bregu i Diellit”, rruga “Hyzri Talla”, mbrëmë rreth orës 21:50.

Shefi i Departamentit të Krimeve të Rënda, pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bashkim Zeqaj, bëri të ditur se janë arrestuar dy persona dhe gjatë kontrollit është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë.

Insajderi merr vesh që kërkesa e Prokurorisë është miratuar.

Dy të dyshuarve në këtë rast, Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi u është caktuar masa 30 ditë paraburgim.

Si funksiononte grupi që përpunonte kokainën dhe heroinën?

Siç kupton Insajderi, të arrestuarit për këtë rast janë: Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi.

Xhemajli dhe Gashi dyshohet se në bashkëkryerje kishin një objekt në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë të mbyllur me dru ku kishin mjetet e përpunimit të laboratorit të drogës.

…Kanë  hapur  derën e hyrjes e cila  ishte  e  mbyllur  me  dry, nga aty kanë filluar t’i nxjerrin  mjetet  e punës, pajisjet  te  cilat  kanë  shërbyer  për  procedura  të  punës  në  Laboratorin e  drogës, ku fillimisht është vërejtur   nga  aty  ata  kanë  nxjerrë  një  elektromotor apo Mikser  të  madh  të  cilin  e kane  futur  ne  automjetin  Volksvagen Caddy, ngjyrë hiri e me pastaj  kanë e vazhduar që nga lokali/ Laboratori  të  nxjerrin  edhe  pajisje  tjera  si  Boce  e madhe  gazi  si  dhe  pako  me  materie  te  dyshuar, ne  këtë  moment  kane  ndërhyrë  hetuesit  e SQHN-DHTN , duke i  kapur  ne  flagrance  të pandehurit  Hasan  Xhemajli  dhe Kadri  Gashi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

Shpërndaje në

U Kopjua