Miliona përdorues të rrjetit TikTok në SHBA i kanë sytë nga presidenti Donald Trump, i cili i ka dhënë një afat 75 ditor kompanisë kineze të rrjetit, ByteDance që të arrijë një marrëveshje me një kompani amerikane, për ta blerë platformën, ndryshe do të ndalohet në SHBA.
Të martën, Trump i kërkoi shefit të kompanisë amerikane të teknologjisë kompjuterike ‘Oracle’, Larry Ellison që të blinte rrjetin TikTok.
E ardhmja e aplikacionit që përdoret nga miliona amerikanë është e pasigurt.
Trump u takua dje në Shtëpinë e Bardhë me shefin ekzekutiv të firmës “Oracle’ Larry Ellison, me shefin e kompanisë ‘Softbank’, Masayoshi Son, dhe me drejtorin ekzekutiv të kompanisë ‘OpenAI’ Sam Altman, lidhur me një nismë për të investuar 500 miliardë dollarë në infrastrukturën e inteligjencës artificiale.
Pas takimit një gazetar e pyeti Trumpin nëse do të ishte i hapur ndaj mundësisë që Elon Musk të blinte platformën TikTok.
Presidenti tha se po, por po ashtu i sugjeroi shefit të kompanisë Oracle që të blinte rrjetin Tik-Tok.
“Do të isha i hapur nëse (Elon Musku) do ta blinte. Por do të doja që ta blinte edhe Larry. Unë kam të drejtë të bëj një marrëveshje. Pra, Larry, marrëveshja që kam parasysh është kjo, le ta negociojmë para mediave. Po them që Shtetet e Bashkuara të japin autorizimin që Tik Tok-u të mos mbyllet, por të marrin gjysmën e platformës. Mendoj se është e arsyeshme. Si mendon?”, u shpreh Presidenti.
Ellison u përgjigj se “më duket një marrëveshje e mirë, zoti President”.
Mes urdhrave të parë ekzekutivë që firmosi Trump të hënën ishte ai për të shtyrë me 75 ditë ndalimin e aplikacionit TikTok në SHBA, duke i dhënë afat kompanisë kineze ByteDance, që të gjejë një blerës amerikan.
“TikTok-u është i veçantë për mua, më parë nuk ka qënë i tillë. Pasi iu bashkova platformës, fitova mbështetjen e votuesve të rinj, 36 për qind të tyre”, tha zoti Trump.
Urdhri ekzekutiv ishte një ndryshim i rëndësishëm për kompaninë ByteDance, me bazë në Kinë, e cila ka në pronësi platformën TikTok, si dhe përafërsisht 170 milionë përdoruesit amerikanë.
Gjatë fundjavës, rrjeti u mbyll për pak kohë, pasi Gjykata e Lartë la në fuqi ligjin që ndalonte TikTok-un në SHBA nëse nuk shitej, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare.
Por, gjërat ndryshuan pasi Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për të shtyrë ndalimin e aplikacionit.
Drejtori ekzekutiv i platformës TikTok, Shou Chew, i cili ishte i ftuar në inaugurimin e Trump, e falënderoi atë përmes një videoje, të premten.
Por disa ekspertë ligjorë thonë se shtyrja që firmosi Trump mund të mos arrijë të mbrojë kompani si Oracle që t’ i mundësojë platformës TikTok të funksionojë, sepse ligji për ndalimin e TikTok-ut, i miratuar nga Kongresi vazhdon të jetë në fuqi.
Urdhri ekzekutiv i Trump paraqet një ndryshim qëndrimi nga mandati i parë, ku ai mbështeste ndalimin e rrjetit TikTok për shkak të dyshimeve se platforma mund të ndante të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze, raporton VOA.