Live

E konfirmon Shqipe Selimi, Donika Gërvallës s’ia dha votën për shkak të dy postimeve rreth Rexhës

16:10 / 20 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka sqaruar arsyen e mospjesëmarrjes në votimin për Donika Gërvallën si kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka theksuar se vendimi i saj nuk ka të bëjë me ndonjë motiv partiak, por lidhet me deklarime të mëhershme të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit, të cilin kjo e fundit e kishte cilësuar si “figurë të diskredituar të krimit”.

“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim”, ka shkruar Selimi.

Ajo shtoi se këtë sqarim po e bën për hir të transparencës dhe respektit ndaj publikut, mediave, si dhe përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, përfundoi ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua