Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një komunikate e ka pranuar se në procesin e fundit për punësim kishte kandidatë me diploma të dyshimta, teksa ka akuzuar mediat për tendenca, me të cilat po ia zbehin suksesin.
KEK-u në këtë komunikatë nuk ka treguar se sa prej aplikuesve kanë rezultuar me diploma të dyshimta.Por, KEK-u ka thënë se janë verifikuar diplomat e kandidatëve dhe disa prej tyre janë larguar nga procesi i rekrutimit.
“KEK dëshiron të informojë publikun se më datë 02.01.2025, ka njoftuar opinionin për verifikimin e diplomave të kandidatëve, i cili ka rezultuar me largimin nga procesi i rekrutimit të kandidatëve për të cilët kishte dyshime për autenticitetin e diplomave të tyre. Përtej kësaj, KEK ka informuar organet përkatëse të drejtësisë dhe i ka ofruar atyre të gjitha informacionet që disponon për të zbardhur këtë çështje”, thuhet në njoftim.
KEK-u ka sulmuar edhe mediat, duke pretenduar se ato po përpiqen ta zbehin suksesin e Korporatës.
“Megjithatë, është e pakuptimtë dhe e papranueshme që disa individë dhe portale me tendenca të caktuara po përpiqen të zbehin këtë sukses duke e lidhur me çështje të tjera fare të paarsyeshme. Pavarësisht se informacioni përkatës është bërë publik dhe lënda është dërguar tek organet e rendit, disa prej këtyre individëve kanë vazhduar të përhapin lajme të pavërteta dhe të tentojnë të zbehin këtë proces të rëndësishëm”, thuhej në komunikatën e KEK-ut të martën.