Live

E shkarkuan për konsum të kokainës, Komuna e Leposaviqit e kthen në punë ish-nënkryetaren Milletiq

19:08 / 23 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ish-nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Milletiq, e shkarkuar për konsumim të kokainës brenda Komunës është rikthyer në punë në komunë, mëson gazeta Nacionale.

Ajo u shkarkua nga kryetari i komunës Lulzim Hetemi për “shkelje të rënda” pas publikimit të videove nga Nacionale, ku Milletiq bashkërisht me punonjës të komunës gërhasin substanca narkotike brenda objektit komunal.

Zonjën Milletiq e kontaktuam për ta pyetur që të na konfirmojnë rikthimin e saj, e njëjta nuk është përgjigjur por ka lexuar pyetjen.

Pas “Seen”-it të parë, e pyetëm sërish “pra, do të thotë që po – jeni kthyer?”, ajo sërish s’u përgjigj duke na lënë “seen”-in e dytë.

Provuam të kontaktojmë kryetarin Lulzim Hetemi, por as ky i fundit nuk u përgjigj.

Provuam poashtu edhe mbesën e tij e cila është pjesë e kabinitetit komunal, Shqipe Latifin, as ajo nuk u përgjigj në pyetjen e Nacionales.

Se pse dhe kur është kthyer Dragana Milletiq, askush s’ka dhënë llogari.

Hetemi pati marrë vendim muaj më parë që ta shkarkojë Milletiqin për “shkelje të rënda” të detyrës së saj zyrtare, por edhe “mospërmbushje të detyrës zyrtare”.

Nacionale ende nuk ka arritur të kuptojë se në çfarë pozite është kthyer Dragana Milletiq në Komunë të Leposaviqit, ku më parë kishte postin e Nënkryetares.

Shpërndaje në

U Kopjua