Live

“E theri 33 herë me thikë”, i akuzuari për vrasje thotë se veproi në vetëmbrojtje pasi iu kërkua të kryente marrëdhënie seksuale

17:23 / 19 Shtator 2024

Nga Kosova Live

I akuzuari për vrasje të rëndë, Kemal Mustafa, është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se nga frika ka vepruar të mbrojë veten.

Këtë deklarim, Mustafa që akuzohet për vrasjen e S.M., e ka bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në seancën e shqyrtimit fillestar ku është lexuar aktakuza.

“Jo nuk e pranoj që jam fajtor. Unë e kam bërë për me mbrojtë veten sepse në atë moment jam tutë”, deklaroi i akuzuari Mustafa.

Mustafa akuzohet se ka therur me thikë 33 herë viktimën S.M pasi sipas aktakuzës ky i fundit e kishte goditur me grusht, duke i kërkuar marrëdhënie seksuale në kundërshtim me dëshirën e tij.

Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi e njoftoi se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës.

Sipas aktakuzës, Mustafa ngarkohet se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi S.M., me thikë dhe i shkaktoi vdekjen, shkruan Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë se bashku me djalin e tij të mitur A.K, duke mbledhur kanaçe nëpër kontenjer të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkoi në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku me pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin S.M., se pse e kishte dërguar aty, i njëjti i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.

Me këtë, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Shpërndaje në

U Kopjua