Kabineti i plotë i Izraelit ka miratuar marrëveshjen për armëpushimin në Gaza, ka njoftuar zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kjo ndodh pasi kabineti i sigurisë i Izraelit rekomandoi miratimin e marrëveshjes më herët të premten. Armëpushimi pritet të fillojë të dielën.
Sipas raportimeve, 24 ministra votuan pro marrëveshjes, ndërsa tetë ishin kundër, shkruan skynews.
Një deklaratë e qeverisë izraelite tha se “qeveria ka miratuar planin për kthimin e të rrëmbyerve. Plani për lirimin e të rrëmbyerve do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar 2025”.
Në fazën e parë, marrëveshja do të çojë në lirimin e 33 nga 98 pengjet gjatë një periudhe prej gjashtë javësh. Rreth gjysma e 98 personave besohet se janë ende gjallë. Pjesa tjetër pritet të lirohet në një fazë të dytë që do të negociohet gjatë fazës së parë.
Hamas ka deklaruar se nuk do t’i lirojë të gjithë pengjet pa një armëpushim të qëndrueshëm dhe tërheqje të plotë të Izraelit.
Ndërmjet 990 dhe 1650 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë do të lirohen në këmbim, në varësi të numrit të pengjeve të liruara. Radikalët në qeverinë e koalicionit të Izraelit e kanë kritikuar marrëveshjen si një dorëzim ndaj Hamasit, ndërsa ministri i sigurisë, Itamar Ben-Gvir, kërcënoi se do të jepte dorëheqjen nëse ajo miratohej.
Megjithatë, ai deklaroi se nuk do ta rrëzonte qeverinë.
Armëpushimi është përgatitur prej kohësh dhe ka pasur disa përpjekje të dështuara, por të mërkurën një marrëveshje u arrit pas ndërmjetësimit nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja. Izraeli ka vazhduar sulmet në Gaza ndërkohë, dhe zyrtarët palestinezë raportuan se 86 persona u vranë një ditë pas shpalljes së marrëveshjes.
Më shumë se 46 mijë persona janë vrarë në ofensivën e Izraelit në Gaza – shumica gra dhe fëmijë – sipas zyrtarëve atje.
Rreth 1200 persona u vranë në Izrael, së bashku me mbi 250 të rrëmbyer, gjatë sulmit terrorist të Hamasit në tetor 2023 që nisi luftën.
Izraeli ka deklaruar se synon të shkatërrojë grupin dhe pretendon se ka vrarë rreth 17 mijë luftëtarë të tij.