E ardhmja e Edon Zhegroves mbetet ende e pavendosur.
Futbollisti kosovar është lidhur vazhdimisht me disa skuadra, ku pritet largimi i tij nga Lille.
Sipas gazetarit francez, Santi Aouna, Zhegrova tashmë ka nisur bisedimet me skuadrën e Olimpique Marseille.
Ai raporton se po diskutohet mundësia e huazimit me obligim blerjeje.
Por ditë më parë, presidenti i Lille, Olivier Létang ka bërë të ditur se dëshiron që Zhegrova të mbetet pjesë e LOSC.
”Edoni është këtu. E pashë këtë mëngjes, shihemi pothuajse çdo ditë. Kaluam pak kohë së bashku këtë mëngjes. Është e mundur që ai të jetë me ne. Është mirë, po stërvitet mirë. Është e mundur që ai të rifillojë stërvitjen me ekipin profesional të hënën dhe ne mund të mbështetemi tek ai këtë sezon.
Nuk kam pasur asnjë kontakt me klube të tjera franceze në lidhje me Edonin. Ne menduam se ai mund të largohej në një moment, por nuk mendoj se kushtet janë të përshtatshme që ai të largohet. Në vend që të kërkojë një lojtar të ri, ai është këtu, është gati, është i uritur.
Nëse ai vjen me dinamikën e duhur, me dëshirën për të vrapuar, për të dhënë gjithçka për ekipin, për të qenë pjesë e grupit, atëherë ai do të jetë aty.”, ka deklaruar Letang.
Për Zhegrovën kanë pasur interesim edhe dy skuadrat italiane, Napoli e Atalanta.