Live

Ekskluzive: 30 ditë paraburgim për 19-vjeçarin e arrestuar në Vermicë – i dyshuar edhe për rrahje të rëndë në Sunny Hill

08:01 / 18 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Një 19-vjeçar është dërguar në paraburgim pas arrestimit në pikën kufitare të Vermicës, nën dyshimet për përfshirje në një rast të rëndë dhune që kishte ndodhur më herët në Prishtinë.

Mësohet se bëhet fjalë për Erion (Flamur) Rexhepin rreth 19-vjeçar, i cili ishte në kërkim policor për shkak të dyshimeve për përfshirje në një rast të lëndimit të rëndë trupor. Ngjarja kishte ndodhur më 2 gusht 2025, rreth orës 23:30, në fshatin Bernicë e Poshtme/Sunny Hill, Prishtinë, ku viktimat L. Avdyli rreth 24-vjeçar dhe O. Ejupi rreth 20-vjeçar ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime të rënda, për çka kishin marrë trajtim mjekësor.

Për këtë rast, më 13 gusht 2025, ishte siguruar prezenca e njërit nga personat e dyshuar, Rrezart Svirca rreth 20-vjeçar, i cili ishte ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit. Ndërkohë, Erion Rexhepi kishte qenë në kërkim policor, derisa më 15 gusht 2025 u ndalua nga Policia në pikën kufitare Vermicë.

Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, Rexhepi u ndalua për 48 orë, ndërsa më 17 gusht 2025, pas paraqitjes në gjykatë, gjyqtari i procedurës paraprake caktoi ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, thonë burimet e Sinjalit. Ai tashmë është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Hetimet për rastin e dhunës në Sunny Hill vazhdojnë.

Shpërndaje në

U Kopjua