Përdorimi i kanosjes për të nxitur një person të përmbahet nga dhënia e deklaratave ose për të mos dhënë informacione të vërteta pranë organeve të rendit e drejtësisë përbën vepër penale dhe ndëshkohet me gjobë e burgim. Për një vepër të tillë, krahas rasteve të tjera që ka në gjykatë, po dyshohet një 27-vjeçar, i cili ka përfunduar dje në prangat e Policisë.
I riu është arrestuar në Klinë pas denoncimit të viktimës, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar për mesazhet kërcënuese që ka marrë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u prangos është Ajront Tullari, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Tullari dyshohet se e ka kontaktuar viktimën me qëllim kërcënimin, për disa raste që janë në procedurë penale dhe ku i njëjti është i dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht 27-vjeçari ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinë për shkak të një urdhër arresti për mosparaqitje në seanca gjyqësore e më pas ishte liruar.
Por pas lirimit, viktima ka vendosur ta raportojë për mesazhet që ka marrë dhe si rezultat, Policia është aktivizuar sërish dhe i njëjti është arrestuar në Klinë.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, Tullari është dërguar në mbajtje për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal, kushdo që kryen këtë vepër dënohet me gjobë deri në 125 mijë euro dhe me burgim prej 2 deri në 10 vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.