Për herë të parë në pesë vjet, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë nuk do t’i ndërmjetësojë Mirosllav Lajçak. Bashkimi Evropian ka vendosur që emisar i tij i ri për dialogun të jetë Peter Sorensen.
Zyrtarisht, ai nis punën prej 1 shkurtit, dhe do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit, sikurse paraardhësi i tij.
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha ditë më parë se me zgjedhjen e Sorensenit po dërgohet mesazhi se dialogu mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.
Duket se suksesi real në dialog do të varet nga presioni dhe energjia që do të shpenzojnë shtetet kryesore të bllokut evropian mbi dialogun, sidomos Gjermania dhe Franca.
Por, ato tani po përballen me kriza të brendshme politike dhe, rrjedhimisht, Sorensen nuk do të ketë fuqinë politike mbrapa vetes që ndoshta do ta dëshironte.
Megjithatë – një gjë është e sigurt: Nuk do të ketë kthim mbrapa nga obligimet që kanë bërë, si Kosova, ashtu edhe Serbia, dhe ato do të duhet të punojnë për zbatim të marrëveshjeve paraprake.
Marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh, dhe një aneks për zbatimin e saj, konsiderohen kryesore për rrugën përpara.
Një tjetër përcaktues për sukses në dialog ka të bëjë edhe me përfshirjen amerikane.
Rëndom, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor ka ofruar mbështetje për këtë proces.
Këtë pozitë aktualisht e mban Alexanader Kasanof. Nëpër deklarime publike, ai u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër.
Obligimet e tyre datojnë prej vitesh. Palët negociojnë qysh prej vitit 2011 dhe kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
BE-ja ua rikujton të dyja palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.