Emisarja e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Në njoftimin e lëshuar nga Ambasada e Britanisë thuhet se ajo ka shprehur shqetësim lidhur me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa ka paralajmëruar telefonatë edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ajo ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dame Karen nënvizoi gjithashtu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin në rajon dhe shprehu pritjet pozitive për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit, që do të mbahen në Mbretërinë e Bashkuar në tetor. Në kuadër të angazhimeve të saj, Dame Karen do të zhvillojë gjithashtu një bisedë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të riafirmuar qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe për të inkurajuar dialog konstruktiv”, thuhet në njoftim.
Edhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka shprehur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, duke e bërë të qartë se partneriteti SHBA-Kosovë kushtëzohet nga angazhimi për stabilitet, siguri dhe bashkëpunim të koordinuar.
Prattipati është shprehur se veprimet e njëanshme nga Qeveria Kurti mund të dëmtojnë rëndë marrëdhëniet me SHBA-në.