Dukuria e përdorimit të armëve në ahengje familjare po vazhdon, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga autoritetet.
Sipas raportit të fundit të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar dy raste të tilla, një në fshatin Bukosh të Suharekës dhe tjetri në fshatin Korishë të Prizrenit.
Në Bukosh, posa janë dëgjuar të shtënat, policia ka dalë në vendngjarje dhe ka arrestuar një person të dyshuar, i cili dyshohet se ka përdorur një pistoletë të gazit, raportoi gazetari Nuhi Salihu në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ngjashëm edhe në Korishë, policia ka intervenuar menjëherë pas raportimit.
Personi i dyshuar për përdorim të armës së zjarrit është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.