Live

Franca i kundërpërgjigjet Trumpit për Grenlandën: BE-ja s’do të tolerojë sulme ndaj kufijve të saj

10:34 / 08 Janar 2025

Nga Kosova Live

Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera që t’i sulmojnë kufijtë sovranë të bllokut, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, duke iu përgjigjur komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për marrjen e Grenlandës.

Të hënën, Trumpi refuzoi që ta përjashtonte veprimin ushtarak ose ekonomik si pjesë e dëshirës së tij që ShBA-ja t’i marrë nën kontroll Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryediplomati francez tha se nuk beson që Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë ishullin e madh të Arktikut, i cili është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

“Qartazi nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian do të lejonte vende të tjera të botës që t’i sulmojnë kufijtë sovran të tij, kushdo që janë ata. Ne jemi një kontinent i fortë” – tha ministri francez.

“Nëse po më pyesni se a mendoj që Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën, përgjigjja ime është jo. Por nëse kemi hyrë në një periudhë kohore kur është mbijetesa e më të fortit? Atëherë përgjigjja ime është po” – shtoi ai.

Sipas kryediplomatit francez, Bashkimi Evropian nuk duhet ta lejojë veten që të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por blloku duhet të zgjohet dhe të forcohet.

Kur u pyet në një konferencë për gazetarë në rezidencën e tij në Florida nëse do të mund ta siguronte botën nëse nuk do ta përdorte shtrëngimin ushtarak ose ekonomik, kur po mundohet që ta marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës, Trumpi tha: “Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën prej këtyre, por mund t’jua them këtë: na duhen ato për siguri ekonomike.”

Dy javë pa e marrë pushtetin, Trumpi ka filluar që të përvijojë një politikë të jashtme agresive me pak përfillje ndaj aspekteve diplomatike ose shqetësimeve të aleatëve të ShBA-së, shkruan agjencia “Reuters”.

Trumpi i kritikoi shpenzimet amerikane për mallra kanadeze dhe përkrahjen ushtarake për vendin fqinj, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk sigurojnë përfitime nga këto veprime, ndërsa kufirin mes dy shteteve më të mëdha të Amerikës së Veriut e quajti “vijë e bërë në mënyrë artificiale”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...