Live

Frikë për një tërmet të madh, Greqia dërgon ekipe shpëtimi e forca speciale në Santorini

09:20 / 03 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Autoritetet greke kanë dislokuar forca speciale, ekipe shpëtimi, tenda e dronë në ishullin Santorini pas regjistrimit të qindra dridhjeve sizmike në atë zonë.

Për shkak të frikës se një tërmet i mundshëm më i madh do të shkaktonte cunami, njerëzit u këshilluan që t’i shmangin zonën bregdetare dhe ndërtesat pa përkujdesje, t’i zbrazin pishinat dhe të mos organizojnë tubime të mëdha në hapësira të mbyllura. Ministria e Mbrojtjes Civile tha se shkollat do të mbyllen si masë kujdesi të hënën, raporton gazeta “The Guardian”.

“Asgjë nuk mund të përjashtohet, prandaj masat e kujdesit po merren, më saktësisht për ta kufizuar ndikimin e një tërmeti më të fortë” – tha në televizionin shtetëror Kostas Papazachos, profesor i gjeofizikës në Universitetin “Aristoteli” në Selanik.

Greqia goditet shpesh nga tërmetet, por ekspertët e përshkruan si dramatik aktivitetin e shtuar sizmik në një periudhë prej 48 orësh, kur u regjistruan më shumë se 200 dridhje, edhe pse theksuan se ato ishin shkaktuar nga aktiviteti tektonik, e jo nga ai vullkanik.

Papazachos-i u tha mediave lokale se fuqia e dridhjeve ishte nga 4 deri në 4,5 shkallë të Rihterit dhe se tërmeti më i fuqishëm u regjistrua në ujërat mes ishujve Santorini e Amorgos.

Si vend i njërit prej shpërthimeve më të mëdha vullkanike në historinë e regjistruar, Santorini është gjithashtu ishulli më i popullarizuar i Greqisë në Detin Egje. Vitin e kaluar raportohet se ishulli u vizitua nga 3,5 milionë turistë.

Në mbrëmjen e hershme të së dielës, përderisa masa të ngjashme ishin marrë edhe në ishujt Amorgos, Ios dhe Anafi, ekipet e shpëtimit në Santorini montuan tenda në zona të larta, në fusha basketbolli e në parkingje veturash. Në rast të një cunami, njerëzit u këshilluan që të lëviznin drejt pjesëve kontinentale, larg bregdetit.

Kompanitë e trageteve thanë se ka pasur rritje të numrit të punëtorëve të huaj që po largohen nga ishulli drejt portit të Pireut. Një dokument i Qeverisë së Britanisë për këshilla rreth udhëtimeve iu referua udhëzimeve të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes Civile e Greqisë për tërmete.

Masa të mëtejme mbrojtëse pritej të diskutoheshin në një takim të kabinetit qeveritar të thirrur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, më vonë të dielën, ku do të merrte pjesë edhe komandanti i forcave speciale, në kohën e spekulimeve se ushtria mund të dislokohet edhe në ishujt e vegjël të Egjeut.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...