Miraka, një fshat i vogël në Bashkinë e Librazhdit, mund të quhet me të drejtë “fshati i të moshuarve”.
Në çdo banesë, gjen një ose dy të moshuar, të cilët jetojnë në vetmi dhe përballen me vështirësi të mëdha.
Para 20-30 vitesh, kjo zonë ishte e gjallë me mbi 2000 banorë, por sot emigracioni ka kthyer fshatrat e Librazhdit në zona të shkretëruara.
“Shumë e vështirë është sepse nuk jemi edhe mirë nga gjendja, jemi të sëmurë. Unë jam me diabet, por ngrihem sepse më thotë: ‘Ngrihu, bëj një kafe, një kafshatë bukë.’ S’kemi njeri tjetër. Fëmijët janë larg, nuk vijnë sepse kanë fëmijët e tyre dhe duan t’i shkollojnë. Kanë ikur për një jetë më të mirë. Keq, o shpirt, jemi, por ç’të bëjmë?” tregon një nga banorët e fshatit.
Dikur, fshati Mirakë kishte mbi 300 banorë, por sot janë mbetur më pak se 20 të moshuar.
Një nga çiftet më të vjetra në fshat, 90 dhe 86 vjeç, tregojnë se vështirësitë me të cilat përballen janë të mëdha. Vetmia është plagë kryesore për këta njerëz, të cilët jetojnë në kushte të vështira dhe pa ndihmën e fëmijëve të tyre.
“Shumë e keqe. Ngrysem dhe mendoj: a do të zgjohem, a do të më gjejnë të vdekur? Njerëzit hapin derën dhe thonë: ‘Po çelin, po qelbemi brenda.’ Kur fëmijët ikin, njeri hyn, tjetri del. Kemi 15-16 vjet që jetojmë vetëm. Keq ka qenë, por nëse nuk punon, nuk bën asgjë, Zoti nuk të jep asgjë. Çfarë do hash? Pensioni është 100 mijë lekë. Fëmijët kanë ikur të gjithë, kanë mbaruar shkollën dhe janë larguar. Dy shtëpi janë këtu me një djalë secila, s’ka njeri, kanë ikur të gjithë,” tha Hanife Hoxha, raporton euronewsal.
“Vetëm pleq mbi 60 vjeç. Shumë keq është. Shumë keq pa fëmijë, pa ndihmë. Vetëm me zonjën e kam, dhe jam i sëmurë. Kam shumë nevojë për ndihmë. Tani do ta çoj në Tiranë për një operacion. Bëra analizat, nesër do bëj rezonancën. Jeta është vetëm plagë për shoqërinë tonë. Kanë ikur të gjithë, s’ka asnjë, vetëm pleq,” shtoi ai.
Largimi i njerëzve nga fshati nuk ka lënë vetëm të moshuarit në vetmi, por ka frenuar edhe zhvillimin e zonës. Shkollat dhe kopshtet janë detyruar të mbyllen, duke e lënë fshatin pa shpresa për të ardhmen.
Miraka është vetëm një nga shumë fshatrat e Librazhdit që po përjeton të njëjtën fatkeqësi, pasojë e një emigracioni masiv që po zhduk komunitetet rurale.