Live

Fushata hapet zyrtarisht nesër, Cakolli me kritika që VV-ja e mban tubimin e parë sonte

14:24 / 12 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Të shtunën e 13 shtatorit, hapet zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Partitë pjesëmarrëse në këto zgjedhje tashmë kanë treguar se ku dhe në çfarë kohe do ta hapin fushatën, ku Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që atë ta hap përmes një tubimi sonte.

Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar këtë parti rreth kësaj çështjeje duke thënë se nuk ka qenë praktikë deri më tani që tubimet hapëse të mbahen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

“Këtë vit, një tubim i tillë po u zhvilloka nga Lëvizja Vetëvendosje. Më shumë sesa për ndonjë risi organizative, kjo lidhet me faktin se periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht – si në aspektin e gjuhës së përdorur, ashtu edhe të shpenzimeve apo të kufizimeve të tjera.Fushata zyrtare nis nesër, më 13 shtator, dhe deri atëherë çdo aktivitet politik zhvillohet jashtë çdo përgjegjësie ligjore”.

“Kjo do të thotë se, për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”, ka shkruar Cakolli në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në

U Kopjua