Live

Gati 40 orë nga vrasja në Loznicë, autoritetet serbe: Jemi në kërkim intensiv për Faton Hajrizin

11:55 / 19 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Autoritetet serbe e kanë shpallur në kërkim Faton Hajrizin, i cili dyshohet për vrasjen e policit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e një tjetri, në Loznicë të Serbisë.

Autoritetet në Serbi u kanë bërë thirrje qytetarëve që të lajmërohen në komisariatin më të afërt nëse vërejnë personin në foto ose kanë informacion për lëvizjet e tij. Një kërkim masiv është duke vazhduar për të dyshuarin. Helikopterët dhe dronët janë të përfshirë. I dyshuari nuk është kapur ende, gati 40 orë nga krimi.

Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës, dyshohet se qëndron pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në Lloznicë të Serbisë, shkruan gazeta online Reportei.net.

Vrasja e një polici serb dhe plagosja e një tjetri, ka qenë kryetema e këtyre dy ditëve në vend dhe rajon. Autoritetet e Serbisë fillimisht dje kanë shpallur në kërkim kosovarin Artan Hajrizin.

Hajrizi u kthye në të dyshuarin kryesor për këtë rast, meqë në vendngjarje, sipas autoriteteve serbe, u gjetën pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.

I targetuar si i dyshuari kryesor, vetë Artan Hajrizi dha deklarata të shumta në mediat e Kosovës duke deklaruar se vëllai i tij, Faton Hajrizi ia ka vjedhur dokumentet personale.

Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar dokumentin për rastin që ka hapur të enjten Artan Hajrizi në Policinë në Hannover, për humbje të dokumenteve personale, të cilat sipas autoriteteve serbe, u gjetën në vendin ku pas mesnatës u vra një polic serb dhe u plagos kolegu i tij, në Loznicë.

Artan Hajrizi ka hapur ditën e djeshme rast në Policinë e Hannoverit, për humbjen e dokumenteve personale: letërnjoftimin dhe pasaportën e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe leje qëndrimin e Gjermanisë.

Reporteri.net ka siguruar këtë dokument, ku figuron se rasti është hapur në orën 10:41, në Policinë e Hanoverit. Sipas këtij dokumenti, Hajrizi ka deklaruar se dokumentet i kanë humbur qysh të martën rreth orës 08:00-09:00.

Si ndodhi rasti

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit “Mercedes” me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikola Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekoslav Iliq në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Banorët e Loznicës ku ka ndodhur rasti, kanë rrëfyer se çka panë. Njëri nga ta tha se para shtëpisë ku ndodhën të shtënat, skena ishte e tmerrshme.

“Unë isha duke fjetur, ne u zgjuam papritur nga të shtënat. Por nuk ishte një apo dy, ishte shumë. Vrapova menjëherë në tarracë dhe pashë një polic që ishte strehuar pranë garazhit tonë. Ai po thërriste dikë. Ajo makinë ishte ndalur, shoferi ishte brenda dhe dera e pasagjerit ishte e hapur. Dola jashtë për ta ndihmuar, por nëna ime më ndaloi, më tha të mos dilja nga të shtënat dhe unë isha ende në gjendje shoku. Aty mbërriti policia rrugore, e cila nuk është larg nga këtu. Babai im zbriti për të ndihmuar. Më besoni, jam ende në shok, kam qenë shumë i frikësuar. Ju prisni të jeni të sigurt në shtëpinë tuaj dhe më pas diçka e tillë ndodh para shtëpisë tuaj”, tha ai.

“Ishte errësirë, nuk pamë njeri. U dëgjuan vetëm të shtëna. Polici i plagosur ka qëlluar sulmuesin, me sa di unë, dhe më pas ka ardhur për të kërkuar ndihmë. E pamë atë policin tjetër, ishte shtrirë, djali po nxirrte frymë. Nuk kishte shpëtim për të”, tha ky banor i Loznicës.

Për këtë rast, deri tash janë arrestuar dy persona. 

Shpërndaje në

U Kopjua