Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të nisin menjëherë bisedime me Iranin në lidhje me programin bërthamor të Teheranit, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një vizite në rajon.
Wadephul, i cili po viziton Lindjen e Mesme dhe ndodhej të dielën në Oman, tha për transmetuesin ARD se:
“Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Ne po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që (oferta) të pranohet.”
Ai theksoi se Teherani më parë kishte dështuar të shfrytëzonte mundësinë për bisedime konstruktive, por theksoi se shpreson ende për një qasje të re nga ana e Iranit.
Sipas tij, këto negociata janë kyçe për arritjen e një paqësimi të qëndrueshëm në rajon, pasi Irani nuk duhet të paraqesë kërcënim për shtetin e Izraelit, për rajonin apo për Evropën.
Wadephul shtoi se zgjidhja e konfliktit kërkon presion diplomatik mbi të dy palët, si ndaj Iranit ashtu edhe ndaj Izraelit.