Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, është deklaruar pas telefonatës së tij me zyrtarin e lartë amerikan në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono.
Ai tha se me këtë rast ka theksuar partneritetin me SHBA-në.
“Përsërita vendosmërinë e palëkundur të vendit tim për të bashkëpunuar me administratën e re të Shteteve të Bashkuara me qëllim forcimin e dimensioneve politike, ekonomike dhe të tjera të marrëdhënieve tona, si dhe për ta pozicionuar Serbinë si një nga partnerët kryesorë të SHBA-së në Evropë“.
Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Ai është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.
Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte takuar Bonon gjatë vizitës së saj në SHBA, ku kishte theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO.