Live

“Grup i mirëorganizuar, armët në treg të zi shiteshin deri në 2500 euro”

10:36 / 30 Maj 2025

Nga Kosova Live

Hetimet për operacionin e koduar “Puzzle” vijojnë të hedhin dritë mbi aktivitetin e zgjeruar të grupit kriminal të arrestuar pak ditë më parë në Shqipëri.

Sipas detajeve të zbuluara nga BalkanWeb, grupi nuk kufizohej vetëm në trafikun e armëve nga Kosova drejt Tiranës, por kishte edhe baza të strukturuara brenda Shqipërisë.

Një nga këto baza është zbuluar nga Policia në qytetin e Burrelit, ku dyshohet se kryheshin ruajtja dhe shpërndarja e armëve. Po ashtu, hetimet kanë dokumentuar raste shitjeje të armëve edhe në Shkodër dhe Laç, çka tregon për një rrjet të mirëorganizuar në disa qytete të vendit.

Grupi kriminal trafikonte kryesisht pistoleta, përfshirë ato të llojit “Glock”, por edhe armë të tjera automatike. Çmimi i një pistolete në tregun e zi varionte nga 1500 deri në 2500 euro, në varësi të tipit dhe modifikimeve të bëra – disa prej të cilave ishin me shurdhues.

Ndërkohë, mbeten në kërkim dy persona, R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, të cilët dyshohet se kanë luajtur role kyçe në logjistikën dhe shpërndarjen e armëve. 

Shpërndaje në

U Kopjua