Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Hagës, për t’ia kufizuar vizita ish-presidentit Hashim Thaçi.
Behrami e cilësoi atë si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
Ai tha se vendimi në fjalë është krejtësisht jashtë kontekstit kohor”dhe “pjesë e një skenari të qëllimshëm të Gjykatës për të krijuar drama dhe spektakle”.
“Është shumë e dhimbshme të shihet se si Gjykata aprovon të gjitha çmenduritë e Prokurorisë për izolimin total të Presidentit Thaçi” theksoi ai.
Deputeti i PDK-së, e ka akuzuar Gjykatën se po përpiqet ta shkëpusë Presidentin Thaçi nga populli i tij, duke shtuar me ironi:
“Ju ka mbetur vetëm ta dërgoni në Hanë për ta izoluar krejtësisht, se izolimi që po ia bëjnë në Hagë po u duket pak!”, deklaroi ai.
Derisa, në përfundim të reagimit të tij, Behrami dërgoi një mesazh të qartë:
“Kot e keni. Asnjëherë nuk do të mund ta shkëpusni nga populli!”.
Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka nxitur reagime të ashpra.