Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, do të qëndrojë sot dhe nesër në Beograd ku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq do të diskutojnë reformat në Serbi dhe situatën në rajon. Ai në vizitën dyditore në Beograd shkon nga vizita njëditore në Shkup, raporton Tanjug.
“Komisioneri Hahn do të takohet me presidentin dhe kryeministrin serbe në Beograd me të cilët do të diskutojë reformat që po zbatohen në rrugën drejt BE-së, si dhe çështjet rajonale”, shkruan Tanjug.
Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës pritet të jetë një nga temat që do të diskutojnë Hahn dhe Vuçiq. Hahn, i cili tashmë është angazhuar në zhbllokimin e dialogut Beograd-Prishtinë, njoftoi se do të përpiqet përsëri në korrik të motivojë udhëheqësit e të dyja palëve që të kthehen në tryezën e negociatave.
Pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Vuçiq dhe Hahn pritet të marrin në konsideratë situatën dhe mundësitë e reja sa i përket procesit të heqjes së taksës dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ndryshe në Bruksel, një nga hapat e ardhshëm pritet të jetë një takim në shtator i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, me praninë e zyrtarëve dhe liderëve evropianë nga Ballkani Perëndimor.