Live

Hamza: Pezullimi i dialogut me ShBA-në, periudha më e errët për Kosovën

16:26 / 12 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka reaguar pas vendimit të Ambasadës Amerikane për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik për Kosovën.

Hamza përmes një ppostimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky vendim shënon periudhën më të errët në historinë e re të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përjetësisht aleati më i rëndësishëm i Kosovës. Ky partneritet është pasuria më e madhe e shtetit tonë. Me SHBA-në e kemi bërë rezistencën paqësore. E kemi bërë luftën dhe e kemi arritur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën, si pasojë e veprimeve të Qeverisë, shënon periudhën më të errët në historinë e re të Kosovës. Ky është lajm shumë i keq për ne, por njëkohësisht jam i bindur se nuk ka qenë vendim aspak i lehtë as për qeverinë amerikane”.

Ai shton se shteti dhe populli i Kosovës nga sot është para një sfide ekzistenciale, ku sipas tij marrëdhëniet me ShBA-në po rrezikohen seriozisht, dhe bashkë me to edhe shteti i Kosovës.

“Shteti dhe populli i Kosovës nga sot është para një sfide ekzistenciale, ku marrëdhëniet me SHBA-në po rrezikohen seriozisht dhe bashkë me to edhe shteti i Kosovës. Këto marrëdhënie nuk janë vetëm çështje diplomacie, por janë garancia më e fortë për ekzistencën, stabilitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës. Unë dua të rikonfirmoj se periudhës së mjegullës, kaosit institucional, polarizimit me aleatë dhe ofendimeve ndaj zyrtarëve amerikanë, po u vjen fundi”.

“Apeli im publik mbetet i qartë: duhet t’i tejkalojmë egot personale dhe të bëhemi bashkë për ta ruajtur shtetin tonë. Kosovën duhet ta rikthejmë në rrugën euroatlantike, në partneritet strategjik me SHBA-në dhe BE-në”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua