Live

Hapja e Urës së Ibrit, Haziri: Pa koordinim me NATO-n dhe KFOR-in, nuk mund të ndodhë asnjë lëvizje

15:09 / 02 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka folur edhe një herë për rihapjen e Urës së Ibrit për qarkullim.

Sipas tij, çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se për BE çështja e Urës së Ibrit është temë e dialogut.

Tutje, ai thotë se për hapjen e Urës së Ibrit nuk kemi parë asnjë plan konkret, ku edhe pas takimit të Kurtit me ambasadorët e Quintit, nuk është zbardhur asgjë.

Haziri thotë se rolin kryesor në këtë çështje e ka NATO përmes KFOR-it, pa pëlqimin dhe koordinimin me ta nuk ka asnjë lëvizje që mund të ndodhë.

“BE përmes Stanos konfirmon agjendën e ndërmjetësit ndërkombëtar. Për BE kjo është çështje e dialogut. Qeveria Kurti edhe pse në tetë raste ka bërë veprime të njëanshme, prapë është bërë hapi prapa. BE në të gjitha rastet ka imponuar rolin e tij. Sa i përket Urës dhe hapjes së saj nuk kemi parë asnjë plan konkret. Ka pasur një takim Kurti me ambasadorët e Quintit që nuk është zbardhur asgjë. Roli kryesor prapa kësaj nuk është as Qeveria dhe as BE, por NATO përmes KFOR. Pa pëlqimin dhe koordinimin me ta s’ka asnjë lëvizje as edhe të njëanshme që mund të ndodhë. Ku KFOR ka rol të veçantë në sigurinë tokësore dhe hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës. Në veri ka rikthyer rolin dhe ata mbeten forca e vetme ushtarake që detyron dhe mirëmban ambientin paqësor”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së thotë se për fat të keq kjo qeveri e ka humbur besimin dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Për fat të keq kjo Qeveri ka humbu besimin dhe bashkëpunimi me partnerët, është i kushtëzuar apo disa raste edhe me ndëshkime dhe detyrime”, përfundoi Haziri.

Shpërndaje në

U Kopjua