Live

Haradinaj flet pasi Rubin tha se ka pasur kontakt me CIA-n: E kam bërë për t’i shërbyer vendit, çdo herë

20:09 / 15 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar pas dëshmisë së ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, i cili në Gjykatën Speciale tha se Haradinaj kishte pasur kontakte me CIA-n gjatë luftës në Kosovë.

Haradinaj e quajti dëshminë e Rubin një akt respekti për çlirimtarët dhe për Kosovën.

“Mendoj që është për t’u respektu shumë, në fakt që ka pranu James Rubin me ardhë me dëshmu në respekt për çlirimtarët për atë çka përfaqëson UÇK tani se UÇK është në gjykim por edhe për Kosovën i ka bë ndër Kosovës me këtë dëshmi duke i pas parasysh funksionet e rëndësishme që i ka kry edhe autoritetin e tij.

Po ashtu, nuk është diçka e re, personalisht por edhe gjithë ne i gëzohemi komunikimit me insituticionet e Amerikës e veçanërisht me ato të sigurisë. Unë e kam bë këtë në shërbim të vendit tim çdoherë.

Nga përvoja ime në procese, kjo dëshmi është me tregu edhe kontekstin e luftës, profilin apo personalitetin e Thaçit, në këtë rast edhe të tjerëve, nuk mundet me u anashkalu si e tillë. Kjo dëshmi e ka peshën e vet për të mirë”, tha Haradinaj para mediave.

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai përmendi se zyrtarë të zbulimit amerikan ishin në kontakt me UÇK-në, veçanërisht me ish-komandantin e UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinajn.

“Unë besoj se atyre u është thënë të mos angazhoheshin në veprimtari terroriste, të mos kryenin krime lufte, dhe sigurisht, të mos e promovonin fundamentalizmin islamik. Kjo ka qenë politika jonë kryesore asaj kohe”, tha Rubin.

Ish-zyrtari i lartë amerikan tha se kishte mësuar se CIA dhe Haradinaj ishin në kontakt prej vitesh.

“Unë nuk e mësova për CIA-n me Haradinajn. Këtë e kam mësuar vetëm në ’99-tën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe në ’98-ën. E di që Gelbard ishte takuar me UÇK-në dhe mësova në ’99-tën kur shkova vetë në Kosovë dhe takova shefin e CIA dhe gjithë punonjësit e CIA, atëherë mësova për marrëdhëniet e tyre me Haradinajn dhe e di që kishte vite që kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin”.

Shpërndaje në

U Kopjua