Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se sipas të drejtës kushtetuese të Kosovës Ramush Haradinaj, tanimë e ka statusin e ish-Kryeministrit dhe jo të Kryeministrit në detyrë. Këto komente Hasani i bërë të mërkurën mbrëma në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku ka shtuar se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili përcakton saktë ligjshmërinë për personat që japin dorëheqje të parevokueshme.
“Kur deklaron se ‘po jap dorëheqje të parevokueshme’, ajo dorëheqje është pa kthim. Haradinaj nuk mund ta quajë vetën kryeministër në dorëheqje, apo qeveri në dorëheqje”, ka thënë Enver Hasani.
Sipas tij , në momentin që Kryeministri jep dorëheqje, ai nuk mund të nënshkruaj asnjë vendim të Qeverisë.
“Ai mund të qëndrojë në zyre nëse është e zyre e mirë për t’u flladitur, por juridikisht nuk kanë kompetenca tjera”, ka shtuar Hasani.
Ish-drejtuesi Gjykatës Kushtetuese ka thënë se PAN-i mund të propozojë një kandidat të ri për Kryeministër nëse ka një konsensus të plotë brenda koalicionit, por sipas tij kjo është vështirë e besueshme në këtë konstelacion politik.
Por, zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë, sipas Hasanit, është thirrja e një seancë e Kuvendit ku me dy të tretat e votave deputetë dot ta shpërbënin këtë legjislaturë.