Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se tani janë duke pritur për hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë.
Në një konferencë për media, Haxhiu tha se duhet një mbledhje e shpejt dhe e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm, që të votohet mandatari, e që më pas Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti te presidentja Vjosa Osmani, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti politik që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4-5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin. Rashiq është një përfaqësues shumë i moderuar dhe që angazhohet për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, tha ajo.
“Ne nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të institucioneve të tjera, përfshirë këtu natyrisht qeverinë. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar”.
“Na duhet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm që ta votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani e mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajnë mbledhjen të jashtëzakonshme dhe të shpejtë, për shkak të rrethanave që jemi”, u shpreh Haxhiu.