Live

Heqja e masës për mallrat serbe, Hovenier: Hap i rëndësishëm për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian

15:51 / 08 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e masës ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Merdare, shkruan Gazeta Online KosovaLive.

Në një postim të bërë në platformën “X”, e të shpërndarë edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ambasadori Hovenier ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt integrimit evropian.

“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian”, ka shkruar në “X”, Hovenier.

“Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, shton ambasadori amerikan.

Kryeministri Albin Kurti ditën e djeshme kur dhe njoftoi për rritjen e pensioneve të moshës për 20 për qind, bëri edhe të ditur se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndryshimin e masës ndaj mallrave serbe.

Siç tha Kurti masa kishte ndryshuar në atë “kontroll të detajuar”.

“Sot paradite, ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë, nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët, atëherë i vendosim në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, për shkak se masat që kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti.

Largimi i kësaj mase ishte kërkuar vazhdimisht nga Gjermania, e cila pati paralajmëruar se Kosova mund të mbetet edhe jashtë Procesit të Berlinit nëse nuk do të ndërmerrte veprime për ndryshimin e masës.

Bllokadën Qeveria e Kosovës e kishte vendosur për mallrat serbe pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, ku po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...