Live

Hisen Berisha del me një hipotezë të re: Osmani u pengua në Maqedoni, me urdhër të Kurtit!

13:49 / 02 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka dalë me një hipotezë të re për incidentin e presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit.

Berisha thotë se Kurti u kërkoi aleatëve të tij në Maqedoni të shkaktonin këtë incident pas përlasjeve që kishte në Kosovë me qeveritarët.

“Nevojitet hetim urgjent për incidentin e presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit për të sheruar opinionin! Rasti i incidentit të presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit duhet trajtuar urgjentisht dhe me kujdes të veçantë. Aktualisht, në korridoret e politikës flitet se ky incident u shkaktua me kërkesë të kryeministrit Kurti. Thuhet se Kurti u kërkoi aleatëve të tij në Maqedoni të shkaktojnë këtë incident pas konferencës për shtyp ku presidentja Osmani haptas tregoi dallimet dhe konfliktin që ka me kryeministrin Kurti. Nga ana tjetër, qarkullojnë thashetheme se presidentja transportonte para të padeklaruara. Prandaj, është e domosdoshme që ky rast të sqarohet deri në fund në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë. Procedurat e kalimit VIP janë të njohura tashmë. Atëherë, ku qëndron problemi i hapjes ose jo të bagazhit të presidentes? Pak ditë më parë, ndodhi arrestimi i një luftëtari të UÇK-së, me kërkesë të Serbisë mbi marrëveshjen për ekstradim me Maqedoninë e Veriut. Nuk pati asnjë reagim nga shteti i Kosovës. Është dashur të dërgohej një notë zyrtare proteste dhe të kërkohet lirimi i tij i menjëhershëm. Në rast refuzimi, është dashur të ndërpriteshin marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve. Kjo është shkelje mbi vlerat e shtetit të Kosovës dhe tendencë për kthimin e situatës konfliktuoze të para luftës. E tëra kjo duhet bërë jo për dyshimet dhe opinionet që krijojnë qarqe konspirative apo media të caktuara e shërbime, sepse dihen standardet e protokollit të presidentit, por më shumë për të shëruar opinionin publik dhe shqetësimin që është krijuar tek qytetarët deri në luhatjen e besimit në institucionin më të lartë të shtetit. Këtë situatë të arrestimit të luftëtarëve dhe thyerjeve protokollare me presidenten duhet lexuar edhe si efekt i pushtetit të ri qeverisës në Maqedoninë e Veriut, ku Lëvizja Vetëvendosje e organizuar në koalicionin VLEN-in, e që pati përkrahjen e drejtpërdrejtë të Kurtit nga Kosova deri në ekstrem, ka shkaktuar përçarje të spektrit politik atje dhe humbje të pozicionit të shqiptarëve si komunitet shtetformues. Kjo situatë duhet adresuar me urgjencën më të madhe për të ruajtur integritetin dhe dinjitetin e Kosovës. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është thelbësor për zgjidhjen e këtyre çështjeve në mënyrë transparente dhe efektive.

Shpërndaje në

U Kopjua