Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj mbledhjes së kryesisë që ndodhi një orë më parë i kryesuar nga Dimal Basha, duke i cilësuar si “funksionim jokushtetues” veprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se pas Qeverisë, tani edhe Kuvendi i Kosovës ka nisur të funksionojë në kundërshtim me Kushtetutën, raporton Klankosova.tv.
“Dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë për interpretim nëse ndonjëri prej tyre mungon”, ka shkruar Hoti.
Ai gjithashtu ka theksuar se Qeveria në detyrë po funksionon në mënyrë jokushtetuese që nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ-ja, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Supreme të 26 qershorit 2025.
“Anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë poste ministrore. Ky nuk është opinion, por fakt juridik”, ka deklaruar ai, duke përmendur se Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrit të Financave mbi këtë bazë.
Hoti ka kritikuar edhe Presidenten e vendit, duke e akuzuar për mosveprim dhe për dështim në përmbushjen e obligimeve kushtetuese.
“Do të na kushtojë edhe fakti se kemi një presidente që nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në krye të detyrës.
Kushtetuta e obligon atë të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Jo vetëm që nuk e kryen këtë obligim, por ajo i lë edhe institucionet e tjera pa bartës, siç është rasti me mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Që nga data 26 qershor 2025, kur doli vendimi i Gjykatës Supreme, asnjë fjalë nuk e ka thënë. As tani, kur Kuvendi i Kosovës po nis funksionimin jokushtetues, nuk e dëgjojmë të thotë një fjalë”, shkroi Hoti.