Live

Ismet Kryeziu i bën thirrje Vetëvendosjes për kompromis politik: Pa marrëveshje nuk ka qeverisje

16:37 / 19 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve, duke u bërë thirrje drejtpërdrejt Lëvizjes Vetëvendosje që të ulet në tavolinë me subjektet e tjera politike dhe të kërkojë marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

Sipas Kryeziut, edhe pse Kushtetuesja i ka njohur VV-së të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit si subjekt fitues, kjo nuk përjashton nevojën për kompromis dhe konsensus politik. Ai theksoi se funksionalizimi i institucioneve varet nga gatishmëria për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak.

“Problemi qëndron se Vetëvendosje këtë të drejtë shpesh e ka trajtuar si një privilegj absolut, duke harruar se sistemi ynë është i ndërtuar mbi parimin e kompromisit”, shkroi Kryeziu në një postim në Facebook.

Ai theksoi se pa kompromis nuk mund të zgjidhen funksionarët e lartë institucionalë si kryetari i Kuvendit, presidenti apo të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare.

“Kompromisi është çelësi i funksionalitetit institucional dhe garanci për përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve,” shtoi ai.

Në fund, Kryeziu apeloi për një ndryshim qasjeje nga ana e VV-së, duke nënvizuar se e drejta kushtetuese pa vullnet për marrëveshje është e pamjaftueshme për të siguruar stabilitetin institucional në vend.

Ky reagim vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit po përballet me bllokada për shkak të mungesës së marrëveshjeve politike ndërmjet partive parlamentare.

Shpërndaje në

U Kopjua