Live

Izraeli i kërkon ushtrisë të përgatisë planin për largimin e palestinezëve nga Gaza

17:16 / 06 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha të enjten se ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë planin për largimin nga Gaza të një numri të madh palestinezësh në rrugë tokësore, detare dhe ajrore.

Katz mirëpriti atë që ai e quajti “plan i guximshëm” i Presidentit amerikan Donald Trump për largimin e banorëve të Gazës nga territori i shkatërruar nga sulmet tokësore dhe ajrore izraelite me objektiv militantët e Hamasit.

Zyrtarët palestinezë e hodhën poshtë planin e Presidentit Trump që sugjeron që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll Rripin e Gazës, e të detyrojnë zhvendosjen në vende të tjera të 2 milionë palestinezëve.

Trump tha se rajoni përgjatë Detit Mesdhe do të shndërrohet në “rivierën e Lindjes së Mesme”.

Presidenti Trump i bëri komentet të martën gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Në një intervistë të mërkurën për rrjetin televiziv Fox News, Netanyahu tha se palestinezët mund të largohen nga Gaza ndërsa ajo rindërtohet e më pas të kthehen.

Është një ide e jashtëzakonshme dhe mendoj se duhet shqyrtuar e realizuar, sepse mendoj se do të krijojë një të ardhme ndryshe për të gjithë”, tha ai.

Propozimi i Trump ka hasur në kritika të gjera, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric, u tha gazetarëve të mërkurën se çdo zhvendosje e detyruar “është e barabartë me një spastrimin etnik”.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të mërkurën se propozimet e Presidentit Trump “kanë krijuar shqetësim të thellë tek disa njerëz, madje edhe tmerr”.

Ai tha se bazuar në ligjin ndërkombëtar këto propozime janë të papranueshme.

Lidhja Arabe, e cila ka 22 anëtarë në përbërje të saj, tha se plani i Presidentit Trump “është një recetë për destabilitet” dhe se bie ndesh me perspektivën për një shtet palestinez.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh një zgjidhje me dy shtete që do t’i jepte fund konfliktit prej disa dekadash izraelito-palestinez.

Ata duhet të lejohen në shkojnë në shtëpi“, tha të mërkurën Kryeministri britanik Keir Starmer.

Ata duhet të lejohen të rindërtojnë dhe ne duhet t’i ndihmojmë në këtë drejtim dhe në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete“, shtoi ai.

Australia, Kina, Gjermania, Irlanda, Rusia, Arabia Saudite dhe Spanja thanë pas propozimit të presidentit amerikan, se ata vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje me dy shtete.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që “të mbrojnë popullin palestinez dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme”.

Ai shtoi se plani i Trump për Gazën do të ishte “një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar”.

Grupi militant Hamas e cilësoi gjithashtu propozimin e Presidentit Trump për Gazën një “recetë për kaos dhe tension në rajon”.

Në vend që të mbajë pushtuesit zionistë përgjegjës për krimin e gjenocidit dhe të zhvendosjes, ata shpërblehen dhe nuk ndëshkohen“, tha Hamasi.

Përpara se Presidenti Trump të njoftonte planin që Shtetet e Bashkuara të merrnin kontrollin mbi Gazën, Egjipti dhe Jordania kishin hedhur poshtë sugjerimin e tij të bërë pak ditë më parë, që palestinezët e Gazës të zhvendoseshin në këto vende.

Ministria e Jashtme e Egjiptit lëshoi një deklaratë duke theksuar nevojën për rindërtim të Gazës “pa zhvendosur palestinezët nga rajoni”.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Volker Turk tha të mërkurën se dëbimi i popullatës nga rajoni i pushtuar nga Izraeli, do të ishte i paligjshëm.

E drejta për vetëvendosje është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe duhet të mbrohet nga të gjitha shtetet, siç theksoi së fundmi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Çdo transferim i dhunshëm apo dëbim i njerëzve nga territori i pushtuar është rreptësisht i ndaluar”, thuhej në një deklaratë të Turk.

Më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha në një fjalim se “në kërkimin e zgjidhjeve, ne nuk duhet ta përkeqësojmë problemin”. Ai shtoi se është “jetike t’i qëndrojmë besnikë themelit të ligjit ndërkombëtar duke shmangur çdo formë të spastrimi etnik”.

Luftimet në Gazë janë ndalur falë një armëpushimi gjashtë-javor mes Izraelit dhe Hamasit, një grup i shpallur si terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Grupi militant u bë shkak për fillimin e luftimeve në rajon, pas sulmit të beftë ndaj shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit militantët vranë 1200 persona dhe morën peng 250 të tjerë.

Si pasojë e kundërofensivës së Izraelit janë vrarë më shumë se 47,500 persona, më shumë se gjysma e të cilëve, gra dhe fëmijë. Të dhënat ofrohen nga ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi. Ushtria izraelite thotë se ka vrarë 17,000 militantë të Hamasit, raporton VOA.

Hamasi besohet se mban rreth 60 persona peng, që janë ende gjallë.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, militantët liruan 18 pengje, ndërsa Izraeli me qindra të burgosur palestinezë. Në javët e ardhshme pritet të lirohen edhe shumë të tjerë.

Negociatorët po punojnë për detajet e fazës së dytë të armëpushimit që do t’i jepte fund konfliktit, gjatë së cilës do të liroheshin pengjet e mbetura dhe ushtria izraelite do të tërhiqej nga Gaza.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...