Ushtria izraelite ka vendosur të gjithë trupat e saj të përhershme në Rripin e Gazës në kuadër të ofensivës së intensifikuar tokësore ndaj Hamasit, raportoi The Times of Israel.
Sipas burimeve ushtarake, të gjitha brigadat kryesore, përfshirë Golani, Parashutistët, Givati, Commando, Kfir, Nahal, si dhe brigadat e blinduara 7, 188 dhe 401, janë vendosur në territor, bashkë me njësi rezervë.
Ky mobilizim masiv vjen ndërkohë që numri i viktimave në Gaza nga ofensiva e filluar më 18 mars ka arritur në 3,747. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se që nga 7 tetori 2023, janë vrarë gjithsej 53,901 persona, pa dalluar mes civilëve dhe luftëtarëve. Konflikti nisi pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku mbetën të vrarë 1,200 persona.
Hamasi kërkon lirimin e të burgosurve palestinezë, një armëpushim të qëndrueshëm dhe tërheqjen izraelite në këmbim të lirimit të 58 pengjeve izraelite që mbahen ende. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka refuzuar këto kushte dhe ka deklaruar synimin për të ruajtur kontrollin e Izraelit mbi Gazën dhe për të lehtësuar “emigrimin vullnetar” të shumicës së popullsisë palestineze.
Ndërkohë, pas muajsh bllokade, Izraeli ka lejuar hyrjen e ndihmave humanitare. Sipas autoriteteve izraelite, 388 kamionë ndihma kanë hyrë në Gaza këtë javë, por organizatat palestineze e mohojnë këtë numër, duke thënë se vetëm 119 kanë kaluar përmes pikës kufitare Karem Shalom. Rreziku i urisë në rajon mbetet alarmant.