Live

Jasharaj: Kërkesat e shekullit 21 s’plotësohen me shkumësa dhe shpuza

10:07 / 14 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë po shoqërohet me mungesë të teksteve shkollore për nxënësit, shpreh shqetësimin Sindikata e Arsimit.

Kryetari i kësaj organizate, Rrahman Jasharaj, në intervistë për EO, tha se qeveria po përsërit gabimet e mëparshme lidhur me furnizimin me tekste shkollore.

Ai tha se edhe këtë vit po vazhdon e njëjta problematikë, duke sjellë një fillim jo të mirë të vitit shkollor për nxënësit.

“Kjo qeveri krijoi edhe një telash tjetër që janë tekstet shkollore. Ministrja Nagavci gabimin vitin e parë kur e bëri para tri vjetësh (pajisjen me libra shkollorë përmes subvencionimit të prindërve), ndoshta ka menduar se është më mirë e më lehtë, mirëpo menjëherë pasuan kritika nga prindërit, nga SBASHK-u, kritika nga të gjitha palët, sepse u pa se kjo mënyrë e shpërndarjes së teksteve është e dëmshme, e dobët dhe nuk ka mundur të realizohet si duhet. Por ajo e përsërit edhe një vit, e përsërit edhe këtë vit. Pra kemi një fillim të vitit shkollor jo të mirë nga shkaku i mungesës së furnizimit me tekste shkollore të nxënësve”, tha ai.

Ai shtoi se deklaratat e institucioneve se shkollat janë të përgatitura plotësisht nuk janë të mjaftueshme.
Përmendi gjithashtu mungesën e mjeteve të tjera arsimore, duke thënë se projektorët dhe laptopët që duhet të përmirësojnë mjedisin e shkollës nuk janë të pranishme dhe se mësimdhënësit po punojnë vetëm me tekstet që shpërndahen me vonesë dhe me fletoret tradicionale.

“Deklaratat, qoftë të nivelit të dytë, DKA, të shkollave, edhe të Ministrisë së Arsimit se jemi përgatitur plotësisht për vitin e ri shkollor nëse mendohet se kemi shkumësa dhe shpuza, është një deklaratë sa për të thënë, sepse kërkesat e shekullit 21 nuk plotësohen me shkumësa dhe shpuza. Por, duhet furnizuar shkollat me projektorë, me laptopë etj., të menduar në mënyrë që ato shkolla t’i ngjajnë shekullit 21. Në mënyrë që nxënësit të ndihen të lumtur kur shkojnë në shkollë e në kushtet që punojnë mësimdhënësit tani këto gjëra nuk mund të arrihen, sepse i vetmi mjet i punës është teksti shkollor që vonohet dhe fletorja, shkumësat dhe tabela”, tha ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se edhe pse sfidat kanë ekzistuar në vitet e kaluara, procesi i subvencionimit këtë vit ka qenë më i suksesshëm.

Qehaja shtoi se shuma prej 80 eurosh që jepet për subvencionim kërkon analizë të mëtejshme për të përcaktuar kostot e sakta.

“Subvencionimi tani po futet në vitin e tretë si proces përtej asaj që kemi pasur në të kaluarën, të shpërndarjes së drejtpërdrejtë të teksteve shkollore në institucione arsimore. Ajo çka pa dyshim është e dëshmuar këtë vit është që procesi është shumë më i suksesshëm, prindërit janë më të përgatitur, janë më të informuar dhe për rregull në shumicën e shkollave, nga raportimi që vjen nga institucionet arsimore, është që nxënësit janë të pajisur me kohë me tekste shkollore. Tash sa shuma prej 80 eurove është e mjaftueshme për blerjen e teksteve shkollore? Sa ka pasur rritje në çmimin e teksteve shkollore për shkak edhe të shpërndarjes në libraritë lokale ky është një debat tjetër dhe kërkon një analizë goxha të saktë. Çmimet të ndryshme kemi për tekste të ndryshme shkollore nga shtëpitë e ndryshme botuese. Pra, vetëm teksti alternativ na bën të vështirë për të përcaktuar një çmim të saktë për një klasë, kur dihet që mësimdhënësit kanë mundësi të përzgjedhin tekste shkollore nga shtëpi botuese të ndryshme”, tha ai.

Ai tha se për të përcaktuar nëse subvencionimi në këtë format është ideal, nevojitet një analizë e thelluar statistikore dhe financiare.

“Raporti i auditorit për vlerësim të njëjtit proces nga viti paraprak vlerësoj që ka marrë një përgjigje të mirë në procesin e rishikuar këtë vit, që do të thotë aplikimi bëhet me miratim dhe konfirmim nga koordinatorët e shkollave. Kjo në tërësi pastaj i eliminon ato parregullsi në aplikimet e
pasinqerta të prindërve që janë shtetas të Kosovës, por jo rezident në Kosovë. A është subvencionimi i teksteve në këtë format ai ideal, kjo duhet të na vijë si përgjigje vetëm pas një analize të mirëfilltë, të bazuar në statistika, të bazuar në të dhëna, ku e kuptojmë në të vërtetë se kush është përfituesi, qoftë në shpejtësinë e shpërndarjes së teksteve ose pasjes së tyre. qoftë nga një këndvështrim i kostos financiare për buxhetin e shtetit. Kjo deri më sot na mungon pasi që jemi shumë të hamendësuar në atë se në të vërtetë ky format i shpërndarjes përmes subvencionimit dhe Ekosovës është më në avantazh sesa shpërndarja e teksteve shkollore në institucione arsimore”, tha Qehaja.

Shpërndaje në

U Kopjua