Live

Kaos në Rafah: Mijëra palestinezë vërshojnë pikën e ndihmave të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli

07:50 / 28 Maj 2025

Nga Kosova Live

Mijëra palestinezë kanë pushtuar një qendër ndarjeje ndihmash në Rafah të Gazës, të ngritur nga organizata e diskutueshme Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

Pamjet treguan turma që rrëzonin gardhe dhe kalonin përmes pengesave tokësore.

GHF tha se ekipi i saj u tërhoq përkohësisht për shkak të numrit të madh të njerëzve që kërkonin ndihmë. Ushtria izraelite konfirmoi se trupat afër hapën zjarr paralajmërues.

GHF, që përdor roje të armatosur amerikanë, synon të anashkalojë OKB-në në shpërndarjen e ndihmave,  diçka që shumë organizata humanitare e kanë kritikuar si në kundërshtim me parimet e ndihmës. OKB-ja paralajmëroi se ky model përjashton personat me aftësi të kufizuara, rrezikon civilët dhe politizon ndihmën, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli thotë se sistemi aktual lejon Hamasin të vjedhë ndihmat, një akuzë që Hamasi e mohon. GHF thotë se ka shpërndarë mbi 460,000 vakte, por fajësoi Hamasin për vonesa në qasje pa dhënë prova.

Pamje të shpërndara në rrjete sociale treguan turma që vërshonin në qendër, me të shtëna zjarri në sfond. Dëshmitarët thanë se kishte kaos, njerëzit hipnin mbi gardhe dhe merrnin ndihmat me forcë.

“Ka qenë poshtëruese”, tha një banor për BBC Arabic. Një grua shtoi: “Njerëzit janë të dëshpëruar, gati të bëjnë gjithçka për pak ushqim”.

IDF tha se kontrolli u rivendos dhe ndarja e ndihmave do të vazhdojë.

Zëdhënësi i OKB-së e quajti pamjen “zemërthyese”, duke theksuar se ekziston një plan i detajuar për ndihma të mëdha. Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA e quajti kritiken e OKB-së “hipokrizi të pastër”.

Shpërndaje në

U Kopjua