Live

Kapet në Dubai Denis Brajoviq, i dyshuar për disa vepra penale – pritet ekstradimi i tij në Shqipëri

10:35 / 23 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Policia e Shtetit ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari, shtetasi shqiptar Denis Brajoviq (37-vjeç), në Dubai.

Ky aksion është realizuar në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Në kuadër të këtij operacioni dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës, Interpol Abu Dhabi dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Denis Brajoviq, 37 vjeç, i cili ndodhej në Dubai”.

“Brajoviq është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për armëmbajtje pa leje”, ka thënë Policia e Shtetit, raporton Klankosova.tv.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale.

“Vrasja me paramendim, kryer në formë të grupit të strukturuar kriminal; Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve; Grupi i strukturuar kriminal; Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale; Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Denis Brajoviq njihet edhe si Denis Bajri. Ai është në kërkim për dosjen “Metamorfoza”, i akuzuar nga SPAK se ka vrarë Gjin Ndojin në vitin 2020. 

Shpërndaje në

U Kopjua